Kurti nervozon Vucic: Serbia duhet të çlirohet nga Kosova

Nga A2 CNN
15 Shkurt 2020, 12:33 | Kosova
Kurti nervozon Vucic: Serbia duhet të çlirohet nga Kosova

Ishte hera e parë që vendoseshin përballë njëri-tjetrit. Kryeministri I Kosovës, Albin Kurti u përplas ashpër me presidentin serb, Aleksandar Vucic gjatë një takimi për Ballkanin Perëndimor në Konferencën për Siguri të Mynihut. Këtë e konfirmon dhe vetë kreu i qeverisë së Prishtinës për Radion Evropa e Lirë. “Ai ndjeu shumë presion për shkak të asaj që thashë. Pastaj pasoi reagimi i tij me nervozizëm”, tha Kurti.

Takimi ishte me dyer të mbyllura, por një xhirim me kamera amatore zbuloi dhe arsyen e këtij nervozizmi të Vucic. Kurti flet për rikthimin e negociatave duke porositur se s’ka marrëveshje pa dialog, s’ka dialog me harta, dhe s’ka harta me presidentë. Më pas i drejtohet shefit të Bashkimit Europian për politikë të jashtme, Jose Borell, në këtë mënyrë. “Ju na ndihmuat në çlirimin e Kosovës nga Serbia. Mendoj se tani është koha që ta ndihmoni Serbinë të çlirohet nga Kosova. Pra, pas çlirimit të Kosovës nga Serbia, na duhet çlirimi i Serbisë nga Kosova. Ne u çliruam pasi ishim të pushtuar, dhe mendoj se Serbisë i duhet çlirimi pasi Kosova është një kurth për Serbinë. Sa më parë që të ndodhë kjo, aq më mirë do të jetë për të dyja palët dhe për të gjithë Ballkanin Perëndimor”.

I ashpër ishte dhe reagimi i presidentit serb. “Ju nuk mund të fyeni Serbinë, vetëm sepse mendoni se jeni i rëndësishëm. Ju nuk përfaqësoni vendin tuaj. Gjysma e botës, Organizata e Kombeve të Bashkuara nuk ju kanë njohur”, tha Vucic.

Ndër të tjera, Kryeministri i Kosovës kritikoi sërish planin për ndërtimin e Mini-Shengenit Ballkanik. Ndërsa Vucic tha se nuk e kupton këtë qëndrim të Kurtit. Sa i përket masave të reciprocitetit që do të zëvendësojnë tarifën 100%,presidenti serb u shpreh kundër dhe kërkoi implementimin e marrëveshjeve të arritura me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos