Kurti: Paralajmërimet e Serbisë mund ta kenë trembur dikë në BE

Nga A2 CNN
2 Korrik 2022, 12:40 | Kosova
Kurti: Paralajmërimet e Serbisë mund ta kenë trembur dikë

Paralajmërimi i Serbisë për tërheqje nga dialogu mund të ketë trembur dikë në Bruksel. Kështu u shpreh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke e cilësuar qëndrimin e presidentit Aleksandër Vuçiç të gabuar. Megjithatë shefi i qeverisë u shpreh i gatshëm për një takim të nivelit të lartë në Bruksel dhe iu rikthye vendimit për reciprocitetin për mjetet e identifikimit dhe heqjes së targave të vjetra të automjeteve në veri të Kosovës.

“Ky nuk është ndonjë zhvillim i papritur, ose tërësisht i rim meqenëse targat e automjeteve të cilat e kanë denominimin tyre qysh nga koha e pasluftës, pra trashëgimi e strukturave të Millosheviçit, regjimi i tij nuk do të mund të vazhdojë në Kosovë pafundësisht. Ne në mënyrë shumë bujare kemi krijuar një hapësirë dymujore për ta bërë një konvertim të tillë i cili i ndihmon ligjshmërisë dhe rregullsisë tek ne. Edhe zotëri Lajçak vazhdimisht ka qenë dhe është i njoftuar me veprimet tona”, tha Kurti.

Ai konfirmoi interesin për të nënshkruar një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë për të pagjeturit e luftës, teksa shtoi se kjo nuk varet vetëm nga ai. “Çështja e të pagjeturve është prioritet për Qeverinë e Kosovës. Ata janë të zhdukur me dhunë dhe ne do të bëjmë maksimumin tonë në mënyrë që kjo çështje të sqarohet, zbardhet sa më parë sepse ankthi i familjarëve është mbase edhe më i madh sesa pikëllimi i tyre që nuk është vetëm i tyre”.

Kreu i qeverisë u pyet dhe për ministrin e financave, Hekuran Murati, i cili gjendet në qendër të kritikave për shkak të disa postimeve të mëhershme në rrjete sociale kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Përgjigja e tij ishte: “Unë jam kryeministër, nuk jam komentues, komentues ka pafund, kryeministri i Kosovës qeveris me vendin për çështjet madhore çka shkruajnë komentuesit për komentimet e para shumë viteve nuk mund të jenë temë as prioritet për mua”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos