Më 21 mars, bota e shokuar nga luftimet e përgjakshme në Ukrainë nuk i dha rëndësinë e duhur rënies së një avioni Boeing 737 të kompanisë kineze "China Eastern", në kodrat e qytetit Wuzhou, në Kinën lindore.
Sipas autoriteteve kineze, në aksidentin ajror humbën jetën 133 persona. Por disa detaje, duke filluar nga trajektorja e mjetit fluturues, nuk bindën totalisht hetuesit e tragjedisë. Ekzaminimi paraprak i kutisë së zezë të mjetit shtoi dyshime.

Boeing, sipas këtyre vrojtimeve, ka rënë në mënyrë të vullnetshme, nga dora e njeriut. Ajo që ende nuk dihet është nëse ai person është një nga pilotët, ose një person i tretë.
Përfundimet shokuese dolën ditën e sotme si ekskluzive e gazetës amerikane Wall Street Journal.

Avioni po fluturonte me shpejtësi të lartë në momentin e aksidentit dhe ndërroi trajektore menjëherë, pa asnjë arsyeje specifike, dhe pa i kërkuar ndihmë kullës së vrojtimit. Madje kur kulla kishte kërkuar shpjegime për manovrat e rrezikshme, asnjë nga pilotët nuk është përgjigjur, një dinamikë kjo e përafërt me aksidentin e fluturimit 9525 të GermanWings në 2015, i nisur nga Barcelona për në Dusseldorf.
Atëherë, 150 persona ndërruan jetë në afërsi të Nicës, për shkak të vendimit të ndihmëspilotit Andreas Lubitz, që priti daljen e përkohshme të pilotit për të mbyllur kabinën, duke u vetëvrarë. Kjo ngjarje u shndërrua në një nga tragjeditë e mëdha të aviacionit europian. (A2 Televizion)