
Seanca në Kuvendin e Kosovës, nisi me këtë homazh në nderim të bilbilit të këngës, Nexhmije Pagarusha, që ndërroi jetë pak ditë më parë.
Momentet e veçanta nuk përfunduan me meloditë dhe zërin e Pagarushës. Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, vendosi fotografinë e presidentit Hashim Thaçi në sallën e Kuvendit të Kosovës, pas ulëses së kryetares Vjosa Osmani.
Veprimi i tij ishte simbolik dhe lidhet me zhvendosjen e fotografisë së presidentit nga kryeparlamentarja dhe zëvendësimi i saj me imazhin e presidentit Ibrahim Rugova.
Ky veprim duket se ndezi tensionet në sallë, me kryeparlamentaren që u përplas ashpër me deputetët e opozitës.
Pavarësisht kundërshtive mes qeverisë dhe opozitës, pika më e rëndësishme e rendit të ditës, zgjatja e buxhetit edhe për muajin mars, u aprovua me 100 vota pro. Atë e mbështetën deputetët e maxhorancës dhe ata të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës si dhe të PDK-së. (A2 Televizion)