
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, i kërkon Kosovës heqjen e tarifës 100% ndaj mallrave të Serbisë.
Në një letër dërguar kryeministrit, Albin Kurti, zyrtari i diplomacisë së Shteteve të Bashkuara thekson se prioritet është që Prishtina dhe Beogradi të rikthehen në dialog sa më parë.
Sipas letrës, të cilën zyra e Kurtit e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Pompeo përshëndet dhe marrëveshjen për hapjen e linjës ajrore dhe asaj hekurudhore.
“Tani është koha që të realizoni marrëdhënie normale me Serbinë, që kanë në qendër njohjen e ndërsjellë, dhe e cila është thelbësore për integrimin e plotë ndërkombëtar të Kosovës.”, shkruan sekretari amerikan i Shtetit.
Në letrën e urimit për qeverinë e re, Pompeo thekson mbështetjen e Uashingtonit për Prishtinën dhe ofron ndihmë në fushën e ekonomisë dhe sundimit të ligjit. (A2 Televizion)