
Mediat në Kosovës raportojnë se ministri i shëndetësisë i këtij shteti, Rifat Latifi ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij. Gazeta Telegrafi ka publikuar dhe letrën e dorëheqjes së dorëzuar kryeministrit Albin Kurti.
“Me zhgënjim të thellë dhe keqardhje pas shumë reflektimesh për disa muajt e fundit po ju informoj se në mënyrë efektive iu ofroj dorëheqjen time nga posti i ministrit të Shëndetësisë të Republikës së Kosovës, se që nga sot me datën 6 tetor 2022”, thuhet në letrën e dorëheqjes.
Gjithashtu Latifi sqaron se ka bashkangjitur raportin 10 mujor për punën e tij. Dorëheqja e ministrit vjen pasi kryeministri Kurti themeloi një Komision për Shëndetësinë, gjë e cila u vlerësua si mosbesim ndaj punës së Latifit.
Latifi u emërua në këtë detyrë në nëntor të vitit 2021, gjatë pandemisë së koronavirusit, pas largimit të Arben Vitisë, i cili hoqi dorë nga drejtimi i ministrisë për shkak se garoi nën siglën e Lëvizjes Vetëvendosje për komunën e Prishtinës, duke humbur më pas përballë rivalit të LDK, Përparim Rama.
Rifat Latifi lindi në Kllodernicë të Skënderajt më 1955. Në vitin 1982, i përfundoi studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë dhe po atë vit emigroi në SHBA.
Specializimin për kirurgji e filloi në Klinikën e Klivlendit, pastaj e vazhdoi në Universitetin e Jelës, ndërsa specializimin e dytë në traumatologji të përgjithshme dhe reanimacion e kreu në Nju-Jork, College of Medicine. Profesor universitar u bë pas 5 vitesh të mbarimit të specializimit dhe mbajti shumë poste akademike dhe organizative me rëndësi në mjekësinë botërore.
Gjatë karrierës së tij, ai ka punuar në universitete dhe qendra spitalore me emër nëpër Amerikë, si Texas, Filadelfia, Nju- Jork, Doha. Aktualisht, është profesor i kirurgjisë dhe president i Kolegjit të Kirurgëve Amerikan për shtetin e Arizonës.
Prof. Latifi ka botuar disa libra për mjekësi (kirurgji, nutricion, laparaskopi dhe telemjekësi), si dhe është autor i mbi 130 artikujve shkencorë. Kontributi i tij është i madh në themelimin e shërbimit të telemjekësisë në Kosovë dhe Shqipëri. (A2 Televizion)