Atentatet e mirorganizuara vijojnë të trondisin vendin në mënyrë periodike, pa njohur frenim. Mëngjesin e së premtes, këto atentate kanë shkaktuar viktimën e radhës në qytetin e Laçit, në zonën e njohur si Sanxhak.
Pas një prite, është ekzekutuar me breshëri automatiku Rakip Roli, 55 vjeç, një biznesmen i njohur i materialeve të ndërtimit në qytetin e Laçit. Roli është qëlluar sapo ka dalë nga banesa me automjetin e tij. Autorët kanë qëlluar në mënyrë të atillë, që të ishin të sigurt në vrasjen e shënjestrës së tyre, pasi mjeti i viktimës ka marrë një numër të konsiderueshëm plumbash, kryesisht në xhamin e parë.
Ndërkohë, Policia e Laçit, e ndihmuar edhe nga dy grupe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH), nisën menjëherë kontrollin e zonës për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Dhe pas verifikimeve të para, policia ka konfirmuar se ka identifikuar dy personat e dyshuar për këtë vrasje, të cilët janë babë e bir dhe po punohet për kapjen e tyre.
Nisur nga e kaluara e dy autorëve të dyshuar si dhe e kaluara e viktimës dhe djemve të tij, policia dyshon se shkak për këtë vrasje mund të jenë konfliktet për pronën si dhe konflikte të lindura nga aktiviteti i djemve të viktimës.
Gjithsesi, ndalimi i autorëve të dyshuar pritet të hedhë më shumë dritë mbi këtë ngjarje, ku si viktima, ashtu edhe autorët e dyshuar, janë emra të njohur për policinë.
Deklarata e Policisë
Rreth orës 08:45, në Sanxhak, Kurbin, në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri shtetasi P.Rr, i cili po udhëtonte me automjetin e tij.
Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën, si dhe janë ngritur pika kontrolli, me qëllim kapjen e autorit.
Në ndihmë të Policisë lokale janë nisur grupe të FNSH-së dhe një grup i posaçëm hetimor për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve”. (A2 Televizion)