
Kryeministri, Edi Rama, u shpreh gjatë Asamblesë së Partisë Socialiste, se tërmeti dhe pandemia do të kishin bërë më shumë dëme nëse nuk do të kishte qenë në pushtet mazhoranca e sotme.
“Larg qoftë që tërmeti dhe Covidi të kishin rënë para 7 vitesh, kur nuk kishim e-Albania. Si do t’i merrnin njerëzit lejet për të vazhduar aktivitetin e tyre? Do të shkonin nëpër radha të merrnin Covid? Është një shembull shumë i thjeshtë, por domethënës. Kush do të mblidhej 7 vite më parë për t’i dhënë Shqipërisë 1,2 miliardë në Bruksel? Luli është çun shumë i mirë, por a ka shqiptar që po të ketë hall natën merr në telefon Lulin? Edhe të afërmit e vet nuk harxhojnë kohë që t’i bien telefonit”, deklaroi Rama.
“Ne i qëndruam në kokë ditë e natë njerëzve. Unë e di që ka shumë gjëra për të qenë i pakënaqur, por mos të thotë njeri që ka të krahasuar mes nesh dhe kujtdo tjetër që na del nga mbrapa, se ata dalin nga mbrapa se përballë kemi të ardhmen”, shtoi kryeministri. (A2 Televizion)