
Në një deklaratë këtë të shtunë, ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, u shpreh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po e frenojnë Kievin të pranojë kërkesat e Rusisë.
“Kuptohet që delegacioni ukrainas po mbahet për dore, me shumë gjasa nga amerikanët, duke mos i lejuar ata që të bien dakord me kërkesat e Rusisë, të cilat mendoj se janë absolutisht minimale”, tha ai për agjencinë ruse të lajmeve Interfax.
Pavarësisht deklaratës, Lavrov nuk ka dhënë asnjë provë mbi pretendimet e tij. Ndërkohë, Presidenti i Ukrainës kërkoi që pa vonesa të organizohej një takim me homologun Vladimir Putin, teksa i ofroi një shans për të reduktuar dëmet dhe gabimet e tij.
“Dua që të gjithë të më dëgjojnë tani, veçanërisht në Moskë – ka ardhur koha për një takim, është koha për të folur, për të rivendosur integritetin territorial dhe drejtësinë për Ukrainën. Përndryshe, humbjet e Rusisë do të jenë të tilla që do t’ju duhen disa breza për t’u rikuperuar”, tha Zelensky. (A2 Televizion)