
Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov ka hedhur poshtë zërat se lufta e Rusisë në Ukrainë do të përfundojë në 9 maj me një paradë në qytetin e Mariupolit.
Gjatë një interviste për mediat italiane, diplomati rus u shpreh se Moska nuk do të nxitojë për të përfunduar të ashtuquajturin operacion special, me të cilin justifikoi ndërhyrjen ushtarake në Ukrainë.
“Ushtria jonë nuk do t’i përshtatë artificialisht veprimet e saj rreth asnjë date, përfshirë edhe Ditën e Fitores. Ritmi i operacionit në Ukrainë varet, para së gjithash, nga nevoja për të minimizuar çdo rrezik për popullatën civile dhe për personelin ushtarak rus”, u shpreh Lavrov.
9 Maji shënon dorëzimin e Gjermanisë naziste përballë forcave aleate më 1945. Zakonisht kjo datë përkujtohet me një paradë të madhe ushtarake në Moskë.
Më herët, shumë zyrtarë ukrainas, por edhe perëndimorë kanë deklaruar se Rusia mund t’i japë fund sulmeve pikërisht në këtë datë. Madje pati raportime nga zyrtarët prorusë në Mariupol të cilët deklaruan po merreshin me përgatitjen e kësaj parade duke pastruar rrënojat e luftës. (A2 Televizion)