
Edhe për Xhanluixhi Bufon erdhi koha që të tërhiqet nga futbolli i luajtur. Portieri legjendar vendosi të japë lamtumirën në moshën45-vjeçare. Pas vendimit të marrë, ai njoftoi drejtuesit e Parmës, klub me të cilin ka kontratë deri në vitin 2024.
Zgjedhja nuk ishte e papritur. Prej muajsh, Bufon po mendonte ta mbyllte me sportin. Pasi reflektoi për disa muaj dhe përfundoi pushimet e gjata, ish-portieri i Kombëtares italiane dhe Juventusit vendosi të thotë: Mjaft!
Pasi ishte për shumë vjet numri 1 në fushë, ai do të bëhet gati për një tjetër aventurë në botën e futbollit. Edhe pse nuk do të jetë më në fushë, ai do të qëndrojë pranë terrenit të gjelbër. Në fakt, në të ardhmen e afërt, Xhixhi do të emërohet në pozicionin e shefit të delegacionit të përfaqësueses italiane.
Roberto Mancini, përkrah të cilit ka luajtur, e donte si pjesë të stafit. Bufon do të jetë vetëm emri i radhës i madh që i qëndron pranë “të kaltërve” në një prej momenteve më delikatë të tranzicionit të ndryshimit të brezave.
Zgjedhja e Xhanluixhi Bufon u bë në një prej merkatove më të nxehta në histori, duke llogaritur ofertat milionere që emrat e mëdhenj të futbollit kanë marrë nga Arabia Saudite. (A2 Televizion)