Lewandowski te Barcelona, Bayern mohon sërish transferimin e Ronaldos

Nga A2 CNN
16 Korrik 2022, 19:19 | Futboll
Lewandowski te Barcelona, Bayern mohon sërish transferimin e Ronaldos

Bayern Munchen dhe Barcelona kanë konfirmuar zyrtarisht arritjen e një marrëveshjeje paraprake për transferimin e sulmuesit Robert Lewandowski në “Camp Nou”. Për polakun bavarezët do të arkëtojnë 45 milionë euro plus 5 milionë të tjera bonuse.

Por pavarësisht se tani klubi ka mbetur pa një qendërsulmues kryesor, drejtori sportiv, Hasan Salihamidzic ka hedhur edhe një herë poshtë zërat për një transferim të mundshëm të Cristiano Ronaldos në Mynih.

“Kam shumë respekt për të, sukseset dhe karrierën e tij. Por edhe një herë: Nuk ka qenë dhe nuk është fare një temë e diskutuar nga ne”, tha Salihamidzic për “Sport1”.

Portugezi duket i vendosur të largohet nga Manchester United, por përveç Bayern, nga gara kanë dalë edhe Chelsea dhe Paris SG, ndërsa Napoli dhe Atletico Madrid raportohet se janë të gatshëm për bisedime. Ajo që i shqetëson më tepër klubet është rroga marramendëse e sulmuesit, 26,5 milionë paund në sezon.

Në fillim të javës, Ronaldo refuzoi ofertën e një klubi nga Arabia Saudite, që i kishte premtuar 250 milionë paund për dy sezone, për shkak se dëshiron ende të luajë në nivele të larta, sidomos në Champions League. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos