Libri i hapur, Open Balkan

Nga A2 CNN
22 Tetor 2022, 23:45 | Aktualitet
Libri i hapur, Open Balkan

‘‘Hamam Ballkania’’, për një histori sa reale po aq edhe fiksion që Ballkani vijon të jetojë prej më shumë se 500 vitesh. Është një libër për njeriun e krishterë që kthehet në mysliman, për serbin që kthehet në turk 500 vite më parë, por që i flet edhe shqiptarëve që kthehen në dikë tjetër sot.

Romani është botuar shumë më herët por, këtë vjeshtë Tirana pati mundësinë të priste autorin e kësaj vepre, Vlladislav Bajac, që njëkohësisht është edhe botues i njohur në Beograd.

Bajac në një intervistë për A2 CNN do të na tregojë pak më shumë jo vetëm për veprën, por edhe për atë që shqetëson Ballkanin sot. Histori të ngjashme që na lidhin bashkë, po aq sa edhe përjetuese ndonëse ngjarjet e këtij romani kanë sfondin historik të 5 shekujve më parë.

Por si e përjeton një autor serb përkthimin e veprës së tij në shqip? “Jam shumë i lumtur për këtë, sepse qëllimi kryesor i të shkruarit për një autorë shtë që libri të lexohet. Sa herë një libër përkthehet, ne si autorë e shohim si një vlerësim më shumë për veprën që kemi shkruar, sepse libri shkon te një tjetër lexues. Dhe për mua është një gëzim që ta shoh të botuar edhe në shqip. Edhe pse kjo vepër është përkthyer në më shumë se 20 gjuhë të botës, sërish është një përvojë dhe emocion i veçantë. Sepse në të vërtetë nuk është vetëm çështje shifrash sa gjuhë është përkthyer apo sa lexues ke arritur, por sa shumë emocion të përcjell një gjuhë e re një kulturë e re, një përvojë e re leximi. Dhe kur sheh që libri pritet mirë, sepse kulturat i përngjasin njëra-tjetrës dhe lexuesi e kupton autorin, të duket sikur je një shkrimtar me një talent të veçantë e ke shkruar atë që kërkon të gjejë emocionalisht lexuesi”, tregon për A2 CNN autori serb.

Pse Hamam Ballkania si titull? Është Ballkani sot një hamam apo ka qenë i tillë?  “Uji për mua ka shumë kuptim. Doja që ky të ishte elementi që lidhte disa fije të ngjarjeve. Dhe hamami është një lloj banjoje turke, ku uji përdoret jo vetëm për të pastruar trupin, por edhe për të pastruar shpirtin, mendjen. Por, mbetet banjo turke dhe këtë e kam për të rrëfyer sa u përfshi në Ballkan 500 vite më parë perandoria osmane. Ballkania, sepse ndonëse ne themi Ballkan, shumica e vendeve tona kanë të tilla mbaresa. Është një ngjyresë si të  thuash emocionale për këto vende ku perandoria osmane kaloi, la gjurmë, shndërroi disa herë dhe ku ende sot flasim për identitet. Por, megjithatë nuk dua të ngatërroj lexuesin sepse përtej titullit libri duhet lexuar si një i tërë”, shpjegon Bajac.

Në një kapitull flitet për ngjarje 5 shekuj më parë dhe në tjetrin jeni ju dhe shkrimtari nobelist Orhan Pamuk, pra një serb e një turk, që ecin në të njëjtat rrugë ku la shenja perandoria osmane. Pra libri lexohet edhe ndaraz.

 “Po, është shekulli i 16 në një kapitull dhe shekulli 21 në kapitullin tjetër. Dhe kapitujt vijnë njëri pas tjetrit. Por, unë e kam shkruar  njëherazi, njëherë një kapitull dhe kaloja në kohën tjetër, kaloja shekuj dhe atmosferë. Nuk ka qenë aspak e thjeshte, ka qenë një proces shumë i vështirë, ndonjëherë skizofrenik si proces, sepse ti kalon nga një kulturë te tjetra, na një vend te një tjetër që ndoshta nuk ekziston më. Por, ishte një ekspresion që unë e kam fituar me kohën. Disa autorë do të shkruanin fillimisht kapitujt ku ngjarja është në të shkuarën pastaj kapitujt e të sotmes. Pastaj do të mund t’i inkorporonin me njëra tjetrën. Me mua nuk ka ndodhur kështu. Madje unë e shkruaj, e redaktoj pak dhe nuk luaj shumë gjëra në procesin e të shkruarit, nuk ndryshoj shumë”, thotë ai.  

Romani nis me Vishegradin dhe me urën e ndërtuar mbi Drina, një urë që nobelisti Ivo Andriç e bëri të njohur në të gjithë botën. Uraë shtë një metaforë për komunikim këtu, një metaforë që afron kulturat.

“Po, por mos harrojmë që ura ka lidhje edhe me ndarjen. Por. Të ndërtosh një urë është të afrosh kulturat, nuk ka shumë dilemë këtu. Edhe unë me këtë kuptim e kam. Por, unë e zgjodha këtë sepse ka lidhje me nobelistin Ivo Andric, se e dua shumë atë urë, sepse po të kthehemi në shekullin e 16 aty është edhe hamami. Dhe aty, në urën që bëri të njohur nobelisti ivo Andric unë vendos dy personazhet e librit, që jam unë dhe nobelisti turk miku im Orhan Pamuk. Të dy bashkë nisim udhëtimin drejt këtij Ballkani që dikur sundohej nga osmanët dhe që në libër përcillet edhe përmes urës si metaforë.

Shkruar në këtë prizëm mes fiksionit dhe fakteve historike, sa mendon ai  se e shkuara ka lënë gjurmë në Ballkanin sot ende të trazuar. Dhe sa e shkuara mund të ndikojë te e ardhmja jonë?

“Epo, unë besoj se e gjithë kjo varet nga mençuria jonë. Nëse ne jemi aq të mençur sa të mësojmë nga e shkuara, atëherë ne do të mund ta bëjë të ardhmen tonë më të mirë. Ato që kanë ndodhur me siguri kanë disa mesazhe për ne, dhe letërsia është një formë kaq e bukur për të treguar se përmes një personazhi jetojnë dy kultura, dy identitete dhe sërish gjendet forca për të jetuar i qetë, i lumtur. Shkrimtarët nuk janë profetë apo parashikues të së ardhmes, por mund të përcjellin një imazh të bukur përmes artit. Shpresoj shumë ta lexojmë si duhet e të bashkëjetojmë të lumtur në Ballkan. Ndaj them që varet si e lexon një vepër. Fatkeqësisht, politika gjithë këto kohë nuk ka të njëjtën gjuhë si letërsia, dhe nuk jam tërësisht i bindur se politika këto kohë e lexon kështu, fatkeqësisht”, thotë shkrimtari vepra e të cilit vjen në shqip nga përkthimi i Ben Andonit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos