Të rinjtë e FRPD në Lezhë kanë protestuar këtë mbrëmje para komisariatit të Lezhës pas vdekjes së 32-vjeçarit Lear Kurti në ambientet e komisariatit të Policisë në Tiranë.
Të rinjtë lezhjanë ndezën qirinj pranë derës së komisariatit në shenjë homazhi ndaj të riut. Ata hodhën akuza ndaj policisë pasi Leari mund të ishte secili prej tyre.







“Leari mund të ishte një nga ne. Ai u vra barbarisht nga policia. Po të mos ngrihemi ne rinia tani kur do të ngrihemi. Të ngrihemi në këmbë e të protestojmë për këtë vrasje makabre”.
Anëtarë të Forumit Rinor të Partisë Demokratike thanë se praktikat e ndjekura nga kjo qeveri po bëjnë që shumica e të rinjve të lënë Shqipërinë edhe pse Rama ka deklaruar se do t’u mbajë diplomat.
“Çdo ditë po largohen nga vendi. Kryeministri thotë që do u mbajë peng diplomat dhe kjo është marrëzi. Këtu do mbesin vetëm vrasës dhe njerëz të papërgjegjshëm”.
Pasi ndezën qirinjtë, të rinjtë u larguan në mënyrë paqësore. (A2 Televizion)