
Neritan Liçajt nuk i ka mbetur më zë, por ajo që i ka mbetur e shfrytëzon për të dhënë një mesazh uniteti, edhe pse godina për të cilën ka luftuar ditë e natë në mbrojtje, është tashmë pluhur.
“Në atë skenë ka mbetur një pjesë e imja që u kalçifikua atje, por ka mbetur pjesa ime më e mirë dhe më e fortë, që thotë fali se nuk dinë çfarë bëjnë. Aty janë edhe dy kufoma politike, Rama dhe Veliaj. Thërras gjithçka që ka mbetur e mirë nga Shqipëria, që ka mbetur shqiptare, që të fluturojmë lart, dhe që gjarpërinjtë që po na marrim shpirtin t’i përplasim në shkëmb”, tha Liçaj.
Aktori shtoi se “Shqipëria është e bukur, ta bëjmë edhe më të bukur ne duke qenë qytetarë, duke mos u përçarë sipas interesave, sepse kështu nuk vazhdohet më”.
“U përpoqën të vrasin artin, se vrasin dy muskuj të fortë, mendjen dhe zemrën, kështu që i them çdokujt, fermerëve, efektivëve të policisë, politikanëve, të shikojmë brenda vetes, dhe të shikojmë për të ardhmen e fëmijëve tonë”, përfundoi ai përballë protestuesve të mbledhur në Bulevard kundër shembjes së Teatrit Kombëtar. (A2 Televizion)