
Dy të rinj janë arrestuar në flagrancë në Tiranë, pasi dyshohet se prodhonin dhe shisnin dokumente të falsifikuara të shteteve të Bashkimit Europian.
Policia e Tiranës bën me dije se operacioni i koduar “Imitimi” u finalizua nga specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare dhe Sektori i Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me gazetarët e një emisioni investigativ.
Në pranga ranë shtetasit me inicialet H. B. dhe B. M., të dy 22 vjeç. Nga hetimet paraprake dyshohet se ata prodhonin dhe tregtonin dokumente false të shteteve të BE-së.
Gjatë operacionit, policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale një pasaportë dhe një leje drejtimi polake, një kartë identiteti dhe një leje drejtimi austriake, të gjitha të dyshuara të falsifikuara. Gjithashtu, u sekuestruan 1700 euro, që dyshohet se janë përfituar nga shitja e dokumenteve, një automjet, një motomjet dhe dy telefona celularë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme. Ndërkohë, hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm. (A2 Televizion)