
Problemet e licencimit, ku disa prej klubeve rrezikonin pjesëmarrjen në kampionat në fillimin e sezonit, kthyen në domosdoshmëri marrjen e masave nga Federata Shqiptare e Futbollit.
Për këtë arsye, presidenti Armand Duka organizoi një mbledhje me presidentët e të gjithë klubeve të Superiores, për të hedhur bazat që një situatë e tillë të mos përsëritet.
Një nga pikat e diskutuara në këtë takim, ishte edhe ligji i sportit, i cili pritet të miratohet ditët në vijim dhe shihet si shpëtim për klubet me probleme financiare.
“Takimi ishte për atë që ne mund të bëjmë më shumë për të prodhuar në kushtet që ne jemi, por kjo nuk do të thotë që ne të mos krijojmë një shtrat ligjor për të zhvilluar futbollin dhe për këtë në njëfarë mënyre, kemi rënë dakord me qeverinë”, tha Presidenti i FSHF, Armand Duka. (A2 Televizion)