Lippi pranë rikthimit te kombëtarja e Italisë

Nga A2 CNN
23 Korrik 2020, 16:30 | Futboll

Marcello Lippi është pranë rikthimit te kombëtarja e Italisë, në rolin e drejtorit teknik, raporton e përditshmja italiane “Corriere Dello Sport”. Sipas gazetës, lajmi ka indinjuar trajnerin e kombëtares, Roberto Mancini, pasi drejtuesit e Federatës Italiane nuk janë këshilluar paraprakisht me të para se të merrnin këtë vendim.

Lippi, i cili fitoi Kupën e Botës me Italinë në vitin 2006, do të ketë një rol operacional, supervizor, dhe do të thotë fjalën e tij edhe për pjesën teknike, diçka për të cilën Mancini nuk duket të jetë i kënaqur. Sipas gazetës italiane, 72-vjeçari u takua me presidentin e federatës, Gabriele Gravina, në Toskanë dhe tregoi dëshirë për t’u rikthyer, diçka që mund të bëjë trajnerin Mancini të rimendojë pozicionin e tij në kombëtare.

Deri tani, Mancini ka fituar 10 ndeshjet kualifikuese të Europianit me Italinë, duke ndryshuar fytyrën e skuadrës që po kalonte vite jo të mira para mbërritjes së tij. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos