
Kampionët e Liverpool dhe Chelsea zhvilluan një 90 minutësh spektakolar, ku në fund triumfuan 5-3 të kuqtë e Jurgen Klopp.
Pjesa e parë e ndeshjes u mbyll 3-1 për Liverpool, ku për t’u veçuar ishte goli i mrekullueshëm i Alexander-Arnold nga goditja e dënimit. Megjithatë, ky takim nuk u mbyll këtu, pasi në pjesën e dytë u realizuan edhe plot 4 gola të tjerë, nga dy për secilën skuadër, duke e vulosur rezultatin në 5-3.
Paraqitje mjaft e mirë ndërkohë për Cristian Pulisic, i cili u aktivizua në 45 minutat e dyta, asistoi golin e Abraham dhe më pas shënoi vetë golin e tretë të Chelsea. I shpallur prej javësh kampion, Liverpool ka shkuar tashmë në kuotën e 96 pikëve, por nuk ka mundësi të arrijë rekordin e City me 100 pikë, duke qenë se ka mbetur edhe një takim për t’u luajtur.
Në anën tjetër, Chelsea rrezikon vendin e katërt në javën e fundit, pasi Leicester është vetëm një pikë larg. “Blutë e Londrës” duhet të fitojnë patjetër takimin ndaj Wolves, për të qenë vitin e ardhshëm mes më të mirëve të Europës. (A2 Televizion)