
Konflikti insitutcional ndërmjet Presidentit dhe maxhorancës është reflektuar edhe me ligjet e kthyera për rishqyrtim. Plot 65 ligje i ka kthyer Ilir Meta Parlamentit, ku në të gjitha rastet e ka akuzuar për shkelje të Kushtetutës.
Në katër vite, Parlamenti ka miratuar 504 ligje, por jo të gjitha kanë marrë aprovimin final edhe nga Institucioni i Presidetit të Republikës. Një vit pasi Ilir Meta ishte ulur në karrigen e Presidentit, në korrik të vitit 2018, filloi edhe ajo që u cilësua si “beteja” me dekrete. Plot 65 ligje ka kthyer Kreu i Shtetit për rishqyrtim në Parlament, ku në të gjitha rastet kishte një fjali unike: “Maxhoranca ka shkelur Kushtetutën”.
Përplasja institucionale u intensifikua më shumë pas zgjedhjeve vendore të vitit 2019. Parlamenti u vu nën kontrollin e Partisë Socialiste pasi PD dhe LSI dogjën mandatet. Oponenca e Presidentit mori thekshëm ngjyrat e politikës opozitare, sa me dekrete e sa me protesta, në një terren kur as Gjykata Kushtetuese nuk ishte funksionale.
Kjo përplasje nuk ndali në asnjë moment, madje edhe gjatë muajt gusht, ku vetëm javën e fundit, nga zyra e Presidentit u kthyen tri ligje të miratuara nga Parlamenti që, sipas Kreut të Shtetit, janë antikushtetuese.
Por, jo të gjitha argumentet e Kreut të Shtetit janë hedhur poshtë nga shumica qeverisëse. Dy ligje, nisma e parë për ndërtimin e teatrit, ku nga ligji special u hoq emri i kompanisë që e kishte kërkuar atë, ligj aktualisht i shfuqizuar si antikushtetues nga Gjykata; Nisma e dytë ku maxhoranca reflektoi disi qëndrimin e Presidentit ishte ai për ndëshkimet në Kodin Penal për personat që thyejnë karantinën.
Ndërsa një dekret tjetër, ai kundër nismës së etiketuar si antishpifje, mbahet nën sirtarët e Kuvendit, pasi maxhoranca nuk e mori asnjëherë në shqyrtim, pas mendimit për të hequr dorë nga ligji që socialistët kishin miratuar.
Në të gjithë refuzimet e Metës spikatën dekretet për ministrat, për të cilat Gjykata Kushtetuese e ndau përgjegjësinë, gjithmonë, duke i referuar si Presidentin, si kryeministrin, tek neni që përcakton kriteret kushtetuese që duhet të ketë dikush që emërohet e dekretohet për minister.
Tashmë, Ilir Meta ka ndalur betejën e tij me dekrete dhe ka nisur pushimet në pritje të muajit shtator, ku në zyrën tij do të trokasë Edi Rama për ta mandatuar edhe për katër vite të tjera në krye të ekzekutivit shqiptar. (A2 Televizion)