Berisha: Nuk e ka në dorë Basha të më fusë ose jo në Parlament, por qytetarët

Nga A2 CNN
5 Gusht 2021, 12:53 | Politikë
Berisha: Nuk e ka në dorë Basha të më fusë ose jo

Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi në konferencën e tij për shtyp se kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, do t’i sugjeronte vetëm zbatimin e ligjit. Ish-kryeministri tregoi se ka biseduar me Bashën në lidhje me takimin që kryedemokrati pati me ambasadoren amerikane, Yuri Kim, e cila i kërkoi që Berisha të mos futej në Parlament.

“Kam biseduar me zotin Basha dhe ai më ka njoftuar për bisedën me ambasadoren amerikane. Dhe më ka thënë që i ka kërkuar në mënyrë të përsëritur ambasadores që të paraqesë prova publikisht apo privatisht. Zonja është përgjigjur që i kemi provat, por nuk i paraqesim dot. Në këtë mënyrë, mund të shkatërrosh çdo opozitë. Zotit Basha do t’i sugjeroj gjithmonë që të zbatojë ligjin dhe vetëm ligjin. Dhe ligji i dekriminalizmit është një nga meritat kryesore të opozitës. Unë kam qenë dhe jam mbështetës i fuqishëm i vetting-ut të politikanëve. Është Edi Rama ai që ka kundërshtuar dhe e ka hedhur poshtë ligjin për vetting-un e politikanëve”, tha Berisha.

Kur u pyet nëse Basha zgjedh të mos e fusë në Parlament, Berisha u përgjigj: “Nuk është në dorën e askujt që të çojë apo jo deputetët në Parlament. Atë e kanë në dorë zgjedhësit që kanë votuar. Nuk është në dorën e asnjë kryetari që të lejojë apo jo deputetët e zgjedhur për t’u futur në Parlament”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos