
Autoritetet në rajonin e Donetsk në lindje të Ukrainës u bëjnë thirrje 350 mijë civilëve të largohen menjëherë, ndërsa pritet përshkallëzim iofensivës ruse.
Guvernatorit i Donetsk, i cili është bërë objektivi i ri i ushtrisë së Moskës pas pushtimit të rajonit fqinj të Luhansk tha se evakuimi i qytetarëve ishte I nevojshëm për të shpëtuar jetët njerëzore në vazhdën e avancimit rus.
Sipas tij, fati i të gjithë vendit do të përcaktohet nga beteja në rajonin e Donbas. Thirrja për evakuim vlen kryesisht për qytetin e Sloviansk, i konsideruar si thelbësor pas rënies së Severodonetsk dhe Lisichansk.
Në raportin e fundit të inteligjencës britanike, thuhet se “ekziston një mundësi reale që ajo për qytetin e Sloviansk të jetë beteja tjetër kyçe në luftën për Donbasin”.
Zyrtarët ukrainas thanë se Sloviansk ka qenë nën shënjestrën e bombardimeve të ashpra gjatë ditëve të fundit. Të paktën dy persona u vranë dhe 7 të tjerë mbetën të plagosur pas një sulmi në një treg, më 5 korrik. Por ushtria ukrainase bëri të ditur se kishte sprapsur një sulm të trupave pushtuese pranë Dolyna, në drejtim të Slovianskut.
Mbrëmjen e së martës presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky përsëriti thirrjen ndaj Perëndimit për sisteme të përmirësuara antiraketore pasi sirenat e alarmit u dëgjuan në pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Kiev.
Komisionarja e Lartë për të drejta të njeriut e Kombeve të Bashkuara, Michelle Bachelet, e dënoi "luftën e pakuptimtë" të Rusisë në Ukrainë, dhe t'u jepet fund vuajtjeve "të papërballueshme" të civilëve. Sipas të dhënave të OKB, të paktën 335 fëmijë janë mes 4889 viktimave të konfirmuara të luftës. (A2 Televizion)