
Për shkak të reshjeve të dendura të shiut gjatë dy ditëve të fundit, lumi Erzen ka dalë nga shtrati, dhe 13 banesa në lagjen "Erzen" në Shijak prej 24 orësh janë nën ujë. Si pasojë, janë përmbytur disa biznese dhe shtëpi në katet e para të tyre.
Sipas të dhënave nga Bashkia, bëhet fjalë për 13 familje të izoluara.
Megjithatë, pas përmbytjeve të shumë zonave dhe shtëpive në Shijak, banorët e qytezës së vogël prej ditës së djeshme po përballen me një tjetër vështirësi. Dëmtimi i një tubacioni që furnizon Shijakun me ujë të pijshëm ka lënë pa këtë mjet jetik qindra banorë.
Ndërkohë, një ditë më parë në ndihmë të banorëve kanë qenë forcat e ushtrisë pranë Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa ditën e sotme, për largimin e ujit nga banesat po kujdesen vetë banorët. (A2 Televizion)