Atentatet mafioze në Shqipëri, ndonëse mund të ndryshojnë për nga mënyra e ekzekutimit, ato kanë një të përbashkët. Pothuajse të gjitha lënë pas një automjet të djegur që rezulton më pas i vjedhur.
Në ekzekutimin e Santiago Malkos, autorët përdorën një makinë tip Mercedes Benz që pas vrasjes u gjet e djegur nga Policia. Makina ishte vjedhur në Lezhë, ndërsa targat në Fushë-Krujë. E njëjta skemë u përdor edhe në vrasjen e avokatit Ravik Gurra në Elbasan. Pas krimit, Policia gjeti sërish një Benz të shkrumbuar edhe ky i vjedhur në Fushë-Krujë. Edhe Durrësi u trondit nga atentatet mafioze. Feriz Bardhi u qëllua për vdekje në pragun e shtëpisë së tij me armë automatike. Sërish makina Benz, e vjedhur në Fushë-Krujë.

Historia vazhdon me eliminimin e vlonjatit Edison Harizaj. Atentati në ecje u bë nga një makinë e njëjtë, ndërsa mjeti u gjet i djegur në afërsi të Shën Vlashit. Në ekzekutimin e ish-efektivit Arben Bilali, autorët përdorën një mjet luksoz, targat e të cilit ishin vjedhur në Vlorë por vetë makina rezultoi e paregjistruar. Nga hetimet doli që mjeti ishte i vjedhur në një nga vendet e Bashkimit Europian dhe u përdor në vrasje.
Trafikimi i mjeteve përdoret gjerësisht dhe për grabitje. E fundit ngjarje ishte supergrabitja e Rinasit ku grupi i Admir Muratajt përdorte mjete të vjedhura. Sipas hetuesve, makinat dolën të trafikuara nga Kosova ndërsa pas ngjarjes ashtu si dhe tek atentatet, ato u dogjën.

(A2 Televizion)