
Ish-kryeprokurori i Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj, ka dalë para Gjykatës i thirrur si dëshmitar në çështjen “Babale”. Gjykata refuzoi kërkesën e Prokurorisë për pyetjen e tij me dyer të mbyllura, edhe pse Hajdarmataj po dëshmitë për një periudhë ku ka mbajtur postin e rëndësishëm në organin e akuzës.
“Albert Veliun e kam takuar në nëntor të vitit 2017. Në një ditë të zakonshme punë, recepsioni më komunikoi se ishte dikush që kërkonte takim me mua, pasi do më tregonte diçka të rëndësishme. E prita në zyrë. Më ka prezantuar një fakt. Kishte dijeni se disa persona po përgatiteshin të bënin një trafik droge. Sipas tij, mes tyre kishte policë dhe vëllai i ministrit të Brendshëm të asaj kohe”, ka treguar Hajdarmataj para Gjykatës.
“E pyeta për personalitetin e tij. Më tha qe ishte i dënuar për trafik droge jashtë Shqipërisë. Ai më tha që personat që do bënin trafikimin ishin njohje të vjetra të tij. Unë shkëputa bisedën me të. Meqë bëhej fjalë për policë të përfshirë në trafik dhe vëllain e ministrit lashë takim me një prej drejtuesve të SHISH. Të nesërmen i prezantova rastin dhe ia kërkova atyre ta merrnin si rast. Ta përdorin dhe si informator, sipas procedurës së tyre, për të hetuar nëse ka të dhëna reale për rast trafikimi. Në vijimësi kam kontaktuar me një prej drejtuesve të SHISH. Më ka thënë që nuk kishte diçka konkrete, por se po mblidhnin të dhëna dhe prova. Dua të sqaroj që përfshiva SHISH-in për shkak se personi më tha që në rrjet kishte punonjës policie, si edhe vëllai i ministrit të Brendshëm. SHISH ishte institucioni i vetëm që gjatë 2016-2017 na kishte informuar për rastet e trafikut të kanabisit ku ishin të përfshirë dhe punonjës policie”.
I pyetur nga avokati i Agron Xhafajt pse Veliu ishte aq i besuar sa duhet t'i drejtohej SHISH-it, Hajdarmataj u përgjigj: “Veliu më tha që dikush nga Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesat, apo nga SHISH e kishte nxitur që të drejtohej tek unë. Nuk isha para një rasti kur duhet të ndërmerrja veprime. Ai më tha që kishte kontakt me personat që mund të kryenin trafik. Unë vlerësova se një strukturë shtetërore duhet ta analizonte situatën. Kështu e çmova. Ai më tha që njëri prej tyre ishte vëllai i ministrit. Më tha që disa prej të tjerëve ishin punonjës policie. Nuk ishte një kallëzim. Ishte thjeshtë një informacion. Nuk ishte një rast që kishte ndodhur, apo po ndodhte ndërkohë. Vlerësova që një institucion shtetëror duhet ta analizonte”. (A2 Televizion)