Një trafikant shqiptar i cili është dënuar me 25 vite burg për futjen në Britaninë e Madhe të sasive të mëdha të kokainës, do t’i kthejë shtetit vetëm 14 380 paund. Mediat britanike shkruajnë se shuma e kërkuar nga prokurori i çështjes ka tërbuar edhe gjykatësin në Gjykatën e Oksfordit, i cili kritikoi akuzën për arritjen e një marrëveshjeje.
Erald Mema, i etiketuar nga mediat në Britani si “bos i krimit”, u dënua tetorin e vitit të kaluar si personi kryesor përgjegjës për trafikimin e kokainës nga Shqipëria në Mbretërinë e Bashkuar. Ai ra në pranga pas një operacioni të fshehtë me agjentë të infiltruar brenda bandës së Memës.
Por pavarësisht se 34-vjeçari akuzohet se ka futur miliona paund kokainë në Britani, akuza kërkoi që të kthente mbrapsht vetëm 14 380 paund. Gjykatësi Judge Ross tha se nuk ishte aspak dakord me këtë marrëveshje, edhe pse ishte i detyruar të jepte vendimin për të.

Zyrtarisht Mema vlerësohet se ka përfituar 701 680 paund nga aktiviteti i paligjshëm. Atij i janë dhënë tre muaj kohë për të shlyer shumën prej 14 380 paundësh, për ta lejuar që të shesë orën e tij Rolex. Nëse nuk arrin të paguajë shumën, dënimit me 25 vite burg do t’i shtohen edhe 3 vite të tjera.
Gjatë gjyqit kundër tij në tetor u zbulua se Mema kishte futur kokainë në Britani nga qershori deri në dhjetor të vitit 2016. Ai i mohoi kategorikisht akuzat, por jurisë iu deshën vetëm 9 orë për të shpallur vendimin. Bashkë me të u dënuan edhe 19 pjesëtarë të tjerë të bandës. Gjatë operacionit për arrestimin e Memës, Policia konfiskoi 560 mijë paund dhe më shumë se 10 kg kokainë. (A2 Televizion)