Ambasadori i BE, Luigi Soreca përshëndeti marrëveshjen e arritur në Këshillin Politik për reformën zgjedhore.
Sipas tij, marrëveshje e arritur është në përmbushje të rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe shtoi se Shqipëria është më pranë Bashkimit Europian.
“E kemi mirëpritur marrëveshjen, është rezultat i një procesi gjithëpërfshirës që nisi në janar. Ishte një marrëveshje e mirë, të mërkurën, pas disa diskutimeve, por ju e dini që opozita e bashkuar kërkoi që të shikonte disa detaje të tjera për depolitizimin e administratës. Kjo është në rekomandimet e OSBE ODIHR dhe ne e mbështesim këtë progres të arritur. Ishte duke u bazuar tek kjo që mazhoranca e pranoi marrëveshjen dhe kjo është ajo që kemi arritur. Në emër të BE dua të them që Shqipëria është më pranë BE sonte, pasi një nga kushtet për të hapur negociatat për anëtarësim do të përmbushet së shpejti. Kjo vjen në moment të mirë pasi javën që vjen KE do të prezantojë kuadrin ligjor për negociatat. Prandaj le të ecim përpara”, tha Soreca.
Edhe ambasadori britanik, Duncan e përshëndeti arritjen e marrëveshjes. Ai tha se palët bënë lëshime për të arritur kompromisin dhe nënvizoi se tashmë është e rëndësishme zbatimi i kësaj reforme
“Kjo është një ditë e mirë, pas një jave mjaft të gjatë negociatash. Të gjithë hoqën dorë nga diçka dhe marrëveshja u bë e mundur sepse të gjithë kishin dëshirën të arrinin kompromis. Dhe ky është një mesazh i rëndësishëm për politikën shqiptare. Kjo marrëveshje është një hap i rëndësishëm për negociatat, për zgjedhjet në Shqipëri dhe vetë zgjedhësit. Por është vetëm fillimi që do të thotë thelbi do të jetë tek zbatimi. Por nëse kjo frymë kompromisi do të vazhdojë jam besimplotë për të ardhmen”, tha Duncan. (A2 Televizion)