Përplasja SHBA-Kinë, lufta e tarifave dhe pazaret e fuqive të mëdha

Nga Rosalba Bejdo
26 Nëntor 2026, 18:34 | Bota

Përplasja SHBA-Kinë, lufta e tarifave dhe pazaret e fuqive të

Lufta tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës duket larg fundit. Tarifave, kërcënimeve dhe marrëveshjeve të përkohshme u shtohet tashmë një tjetër përpjekje e Donald Trump për të riformësuar tregtinë globale sipas interesave amerikane. Pas përplasjes së fortë të vitit 2025, uljes së përkohshme të tensioneve dhe negociatave mes dy fuqive, Uashingtoni rikthehet me një paketë të re tarifash që prek 14 partnerë tregtarë, mes tyre Kinën dhe Bashkimin Europian. Një strategji që synon të mbrojë industrinë amerikane, por që rrezikon të hapë një tjetër kapitull pasigurie për ekonominë botërore. Materiali ne vijim na risjell në vëmendje historikun e marrëdhënieve tregtare SHBA-Kinë që prej ardhjes nisjes së mandatit të dytë të presidentit Trump.

Marrëdhënia ekonomike mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës është prej vitesh një nga më të rëndësishmet, por edhe më të tensionuarat në ekonominë globale. Dy fuqitë më të mëdha ekonomike janë njëkohësisht partnere tregtare dhe rivale strategjike, në një betejë për tregjet, teknologjinë dhe burimet natyrore.

Me rikthimin në Shtëpinë e Bardhë në janar 2025, Donald Trump vendosi ta përshkallëzonte këtë përplasje. Presidenti amerikan premtoi të mbronte ekonominë vendase dhe të korrigjonte atë që e konsideronte një marrëdhënie të pabarabartë tregtare me Pekinin.

Më 1 shkurt 2025, Trump njoftoi tarifa të reja për mallrat kineze, duke e justifikuar vendimin me nevojën për të frenuar trafikun e fentanilit drejt Shteteve të Bashkuara.

“Po flasim për një tarifë prej 10 për qind ndaj Kinës, për shkak të faktit se ata po dërgojnë fentanil drejt Meksikës dhe Kanadasë”, tha Donald Trump, President i SHBA-së.

Përgjigjja e Pekinit nuk vonoi. Kina vendosi tarifa hakmarrëse ndaj importeve amerikane, duke rikthyer zyrtarisht luftën tregtare mes dy ekonomive. Por përshkallëzimi më i madh erdhi në prill, kur Trump shpalli tarifat reciproke, me pretendimin se partnerët tregtarë po përfitonin padrejtësisht nga tregu amerikan.

Në tabelën e paraqitur prej tij, Kina renditej ndër vendet me tarifat dhe barrierat më të larta ndaj produkteve amerikane.

“Nëse e shihni tabelën, Kina është në rreshtin e parë. 67 për qind. Këto janë tarifat që i vendosen Shteteve të Bashkuara, duke përfshirë manipulimin e monedhës dhe barrierat tregtare”, u shpreh Donald Trump, President i SHBA-së.

Më 4 prill, Pekini kundërpërgjigji me tarifa shtesë prej 34 për qind për të gjitha produktet amerikane. Trump reagoi duke shpallur një pezullim 90-ditor të tarifave për shumë vende, por për Kinën bëri të kundërtën: i rriti detyrimet deri në 125 për qind. Një përshkallëzim që rrezikonte të trondiste jo vetëm marrëdhëniet mes dy vendeve, por edhe ekonominë botërore.

Pekini paralajmëroi se nuk do të tërhiqej përballë presionit amerikan.

“Kina nuk dëshiron një luftë tregtare, por as nuk ka frikë prej saj. Ne nuk do të qëndrojmë duarkryq ndërsa cenohen të drejtat dhe interesat legjitime të popullit kinez. Nëse Shtetet e Bashkuara këmbëngulin në një luftë tarifore apo tregtare, Kina do të luftojë deri në fund”, tha Lin Jian, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze.

Përplasja rrezikonte të kishte pasoja shumë përtej kufijve të dy vendeve. Produktet kineze zënë një vend të rëndësishëm në tregun amerikan, ndërsa kompanitë amerikane varen nga tregu kinez për shitjet, prodhimin dhe lëndët e para. Rritja e tarifave mund të sillte kosto më të larta për bizneset dhe konsumatorët, si dhe tronditje për zinxhirët globalë të furnizimit.

Megjithatë, as Uashingtoni dhe as Pekini nuk kishin interes për një konflikt ekonomik pa fund. Në maj, përfaqësuesit e dy vendeve u ulën në tryezën e negociatave në Gjenevë dhe arritën një marrëveshje për uljen e ndjeshme të tarifave dhe pezullimin e tyre për 90 ditë.

 “Kemi arritur një marrëveshje për një pezullim 90-ditor dhe kemi ulur ndjeshëm nivelet e tarifave. Të dyja palët do t'i ulin tarifat reciproke me 115 pikë përqindjeje”, deklaroi Scott Bessent, sekretar i Thesarit i SHBA-së.

Negociatat vijuan edhe në muajt pasues. Në Londër, në qershor, palët diskutuan kufizimet mbi mineralet e rralla dhe magnetët, materiale strategjike për industrinë moderne, nga automjetet elektrike te pajisjet elektronike. Kina zotëron një pozicion dominues në përpunimin e këtyre burimeve, duke pasur kështu një instrument të rëndësishëm presioni ndaj industrisë amerikane.

Në shtator, negociatat në Madrid sollën edhe një kuadër marrëveshjeje për TikTok, një tjetër çështje e ndjeshme në marrëdhëniet mes dy vendeve. Por armëpushimi tregtar mbeti i brishtë.

Në tetor 2025, Trump kërcënoi me tarifa shtesë prej 100 për qind ndaj importeve kineze, pasi Pekini njoftoi kontrolle të reja mbi eksportet e mineraleve kritike. Përplasja rrezikoi të shpërthente sërish, në prag të takimit të dy liderëve në Korenë e Jugut.

“Do të takohem me presidentin Xi pas dy javësh, në Korenë e Jugut. Do të diskutojmë shumë çështje. Ata duan të diskutojnë faktin se po paguajnë një tarifë prej 157 për qind. Është pak më e lartë nga sa kishin menduar” u shpreh Donald Trump, president i SHBA-së.

Takimi u zhvillua më 30 tetor në Busan. Ishte takimi i parë ballë për ballë mes dy liderëve që prej vitit 2019 dhe një moment vendimtar për të ardhmen e marrëdhënieve ekonomike. Të dy presidentët shfaqën gatishmëri për të ulur tensionet, duke pranuar se mosmarrëveshjet mes dy ekonomive më të mëdha të botës janë të pashmangshme.

“Është një nder i madh të jem me një mik timin prej shumë kohësh. Presidentin shumë të respektuar të Kinës. Mendoj se kemi rënë dakord tashmë për shumë gjëra dhe do të biem dakord edhe për disa të tjera”, u shpreh Donald Trump, president i SHBA-së.

“Duke pasur parasysh dallimet në kushtet e vendeve tona, nuk kemi gjithmonë të njëjtin qëndrim. Është normale që dy ekonomitë kryesore të botës të kenë herë pas here mosmarrëveshje”, deklaroi Xi Jinping, President i Kinës.

Pas takimit, Trump njoftoi se kishte rënë dakord të ulte me 10 pikë përqindjeje një tarifë prej 20 për qind ndaj Kinës, të vendosur për shkak të trafikut të fentanilit. Në këmbim, Pekini pritej të shtonte përpjekjet kundër trafikut të drogës, të rifillonte blerjet e sojës amerikane dhe të garantonte vazhdimësinë e eksporteve të mineraleve të rralla.

“Vendosa një tarifë prej 20 për qind ndaj Kinës për shkak të fentanilit që hyn në vendin tonë. Bazuar në deklaratat e tij sot, e ula me 10 për qind. Pra, tani është 10 për qind, me efekt të menjëhershëm. Besoj se ai do të punojë shumë për të ndaluar vdekjet që po shkakton kjo drogë”, tha Donald Trump, president i SHBA-së.

Marrëveshja e Busanit u pa si një hap drejt stabilizimit të marrëdhënieve, por jo si fundi i rivalitetit. Në janar 2026, Trump kërcënoi Kanadanë me tarifa 100 për qind nëse do të arrinte një marrëveshje tregtare me Kinën, duke treguar se konkurrenca me Pekinin mbetej në qendër të politikës së tij ekonomike.

Në maj 2026, Xi Jinping priti Trumpin në Pekin me një banket shtetëror, ku morën pjesë edhe drejtues të kompanive më të mëdha amerikane, mes tyre Elon Musk dhe Jensen Huang. Vizita u shoqërua me deklarata optimiste për marrëveshje të reja tregtare.

“Kjo ka qenë një vizitë e jashtëzakonshme dhe mendoj se prej saj kanë dalë shumë gjëra të mira. Kemi arritur marrëveshje fantastike tregtare, të shkëlqyera për të dyja vendet. Kam një respekt të madh për të”, u shpreh Donald Trump, president i SHBA-së.

Por afrimi ekonomik nuk i dha fund konkurrencës strategjike. Në shtator, Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të bashkëpunojnë me Kinën në fushën e inteligjencës artificiale, duke argumentuar se Amerika është shumë përpara rivalit të saj dhe duhet ta ruajë këtë avantazh.

“Ajo që ata duan është të ndalojnë përparimin tonë, sepse ne jemi shumë përpara Kinës dhe do të vazhdojmë të mbetemi të tillë. Do të preferoja të mos integroheshim, sepse jemi shumë përpara” tha Donald Trump, president i SHBA-së.

Në nëntor 2026, gjatë samitit të APEC-ut në Shenzhen, Trump dhe Xi u takuan sërish. Presidenti amerikan deklaroi se bordi i përbashkët tregtar, për të cilin kishin rënë dakord në maj, kishte sjellë një ekuilibër më të madh në marrëdhëniet mes dy vendeve. E megjithatë kur u duk se mund te kishte një armëpushim, më 26 nëntor, administrata amerikane njoftoi një paketë të re tarifash që prek 14 partnerë tregtarë, përfshirë Kinën, Bashkimin Europian, Japoninë, Korenë e Jugut dhe Tajvanin.

Kina përballet me nivelin më të lartë të propozuar, deri në 40 për qind, ndërsa Vietnami deri në 35 për qind.

Megjithatë, këto janë tarifa të propozuara dhe jo masa që hyjnë menjëherë në fuqi. Ato do t'i nënshtrohen konsultimeve dhe procedurave të mëtejshme, ndërsa marrëveshjet ekzistuese tregtare mund të kufizojnë nivelin real të detyrimeve.

Kështu, edhe pas marrëveshjeve mes Trump dhe Xi Jinping, rivaliteti ekonomik mes dy fuqive nuk është zgjidhur. Përkundrazi, tarifat, mineralet strategjike, teknologjia dhe kontrolli i tregjeve mbeten në qendër të një përplasjeje që prek të gjithë ekonominë globale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos