Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, në studion e “Ditari” në A2 hodhi poshtë mundësinë e një marrëveshje Rama-Basha për të zgjidhur ngërçin me Reformën Zgjedhore.
“Nuk ka për të pasur marrëveshje, të paktën nga ana e zotit Basha. Kur Rama nuk do të plotësojë një nga 14 kushtet për integrimin evropian, është e fundmja provë për të kuptuar që kemi rënë në një regjim autokratik, që synimin e vetëm ka thjesht vjedhjen e zgjedhjeve për të shpëtuar lëkurën. Por, lajmi i mirë në këtë rast është që raporti në zgjedhjet e radhës nuk do të jetë mes opozitës dhe Ramës, por mes popullit dhe vetmitarit që ka uzurpuar pushtetin”, u shpreh Alibeaj.
Sipas Alibeajt, afati i 31 Majit nuk u shkel nga opozita, por nga kryeministri Edi Rama.
“Afati nuk u shkel nga opozita e bashkuar. Fokusi i opozitës dhe ambasadorëve është i përbashkët: një orë e më parë Reforma Zgjedhore. Edi Rama solli kaos që reforma të mos bëhet, dera e Shqipërisë për në BE të mos hapet dhe që të ketë hapësirat e nevojshme që të vjedhë votat e shqiptarëve dhe pushtetin. Rama është tërhequr edhe nga ato pak pika për të cilat kishim rënë dakord, si identifikimi biometrik. Është tërhequr edhe nga çështja e administrimit, kërkon një administratë zgjedhore të përbërë nga njerëz që vijnë nga administrata e shtetit. Ne i qëndrojmë kërkesave tona dhe prandaj duam që Këshilli të mblidhet sërish nesër”, theksoi Alibeaj.
Ish-deputeti sqaroi edhe problemet me zgjedhjet në Shqipëri dhe zgjidhjet që ka ofruar opozita.
“Në periudhën parazgjedhore, problemet më të mëdha janë shitblerja e votës, shndërrimi i administratës në detashment elektoral të pushtetit dhe fakti që krimi blen vota. Thelbi i këtyre është fakti që të gjithë këto fenomene ndodhin nga lidhja e pushtetit me krimin. Prandaj kemi kërkuar një qeveri tranzitore që të kujdeset për zgjedhjet. Një qeveri që për 100 ditë të jetë jashtë konfliktit të interesit.
Në ditën e zgjedhjeve kemi problemin e votimeve familjare, mbushjes së kutive. Prandaj kemi kërkuar identifikimin biometrik.
Pas zgjedhjeve kemi problem me gjykatat. Të gjejmë një gjykatë që të jetë jashtë shantazhit të pushtetit nëpërmjet vetting-ut. Ajo është Gjykata Kushtetuese dhe ne besojmë se kjo gjykatë mund të arrijë të japë një minimum besueshmërie. Kaq kërkojmë ne. Më pak se kaq, i bie që të heqim dorë dhe të lëmë Ramën të bëjë ç’të dojë. Kërkesat tona janë minimumi”, deklaroi Alibeaj. (A2 Televizion)