
Fill pasi Ilir Meta krijoi Lëvizjen Socialiste për Integrim e dalë nga përçarja e Partisë Socialiste, forca politike që drejtonte u kthye në ‘kingmaker’ të politikës shqiptare. Në zgjedhjet e 2009 kreu i PD, Sali Berisha hasi vështirësi në krijimin e qeverisë, problem i cili solli pas zgjedhjeve marrëveshjen e parë mes tij dhe Ilir Metës, ndonëse në fushatë kishin garuar kundër njëri-tjetrit.
Kryetari i LSI i dha Berishës 4 deputetë, me të cilët nga 70 mandate që PD kishte fituar, arriti të siguronte mbështetjen e 74 kartonëve në Parlament, për të krijuar qeverinë Berisha 2.
Ky bashkëpunim mes një force të djathtë dhe një tjetre që vinte nga e majta, u cilësua shpesh si i panatyrshëm dhe nuk zgjati më shumë se një mandat. Ndërkohë Edi Rama dhe Ilir Meta nuk kishin lënë gjë pa i thënë njëri-tjetrit.
Kalkulimet politike i nxitën të tejkalonin divergjencat dhe në emër të bashkimit të së majtës firmosën para zgjedhjeve të 2013-ës në Shkodër marrëveshjen e pajtimit, nën duartrokitjet e miqve të Internacionales Socialiste.
Bashkëjetesa Rama-Meta nisi të çalojë me zgjedhjet vendore të 2015 dhe mori goditjen finale në 2017, kur socialistët nuk e fshihnin dyshimin se aleati me të cilin bashkëqeverisnin, pas krahëve të tyre po nxiste dhe mbështeste çadrën e ngritur në mes të bulevardit nga Lulzim Basha, i cili kishte marrë drejtimin e PD pas humbjes së Berishës në 2013.
Rama u kundërpërgjigj duke siguruar një marrëveshje me Bashën që nxori demokratët nga çadra e i futi në qeveri me ministra teknikë për zgjedhjet e 2017-ës.
Para se të shpërndahej Parlamenti për fushatën zgjedhore, Edi Rama ngushtoi hapësirat e Metës duke e çuar në krye të Presidencës, si pjesë e fshehtë e marrëveshjes që kishin firmosur në 2013.
Me demokratët në qeveri, ranë dakord t’i jepnin një tjetër goditje LSI-së, duke vendosur të garonin në zgjedhjet e 2017 secili më vetë, pa koalicione, që rezultoi fatale për Bashën. Rama mori ‘tepsinë’ për vete, ndërsa Meta siguroi rezultatin më të mirë të LSI me 19 mandate.
Në 2019, nën drejtimin e Monika Kryemadhit, LSI zyrtarizoi kthimin e aleancave me të djathtën duke djegur mandatet parlamentare së bashku me Lulzim Bashën në prag të zgjedhjeve vendore.
Një martesë politike më shumë prej hallit sesa dëshirës, i çoi të firmosnin një tjetër kontratë bashkëpunimi në 2021, që nuk mundi të kalonte konturet e bojës së hedhur në letër. Dy fushata zgjedhore që nuk u kryqëzuan asnjëherë, u përkthyen në një garë secili për vete, që i dhuroi Edi Ramës mandatin e tretë.
Me dy forcat opozitare të kthyera te liderët e dikurshëm, Ilir Meta shton një tjetër firmë bashkëpunimi me të djathtën në serinë e aleancave politike. Përsëri me Sali Berishën, për të cilin thotë se i ka rezultuar i vetmi që i qëndron marrëveshjeve politike. (A2 Televizion)