
Belind Këlliçi njoftoi zyrtarisht sot kandidaturën e tij në zgjedhjet e brendshme brenda PD-së, për të qenë ai propozimi i opozitës për Bashkinë e Tiranës, më të rëndësishmen dhe më të madhen në vend.
Gjatë prezantimit, Këlliçi akuzoi kryebashkiakun Erion Veliaj se e ka bërë qytetin të pabanueshëm. “Erion Veliaj është i vetmi njeri që mund të ketë konkurruar Edi Ramën për abuzime në detyrë”, tha Këlliçi. “Si i tillë, ai dhe modeli i tij antivlerë, duhet larguar një orë e më parë”. Këlliçi tha se për të fituar Tiranën, më parë kërkon votëbesimin brenda radhëve të demokratëve. “Jam kundër emërimit nga kryetari i Partisë, çdo fitore e kam arritur me garë”, shtoi ai. “Jam i kundërt nga modeli Veliaj. Nuk jam i shantazhueshëm nga askush”.
Futja e tij në primaret e PD-së u paralajmërua më parë nga Sali Berisha, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes me Ilir Metën për bashkëpunimin me Partinë e Lirisë për zgjedhjet vendore të 14 majit. (A2 Televizion)