Masat ndaj koronavirusit, Dasho: E pakuptimtë, të mbash hapur lokalet dhe të mbyllësh universitetet

Nga A2 CNN
9 Nëntor 2020, 19:48 | Aktualitet
Masat ndaj koronavirusit, Dasho: E pakuptimtë, të mbash hapur lokalet

Mjeku Erion Dasho foli ,nga Gjermania, në A2, për masat e vendosura nga Komiteti i Ekspertëve për shkak të pandemisë. Ai theksoi se kufizimi i lëvizjes dhe vendosja e maskës në publik janë të pakuptimta.

“Nuk di se çfarë të presësh nga Komiteti ynë i Ekspertëve dhe nga Qeveria, sepse masat kanë qenë të çuditshme, të pabazuara mbi evidenca dhe kanë qenë masa, të cilat nuk kanë ndonjë efekt të provuar. E tillë ishte edhe masa për mbajtjen e maskës në publik. U provua nga situata që kemi sot se nuk kishte efekt. Ndalimi i lëvizjes së qytetarëve dëmton shprehjen e lirive individuale”.

Më tej, ai theksoi se të mbash hapur lokalet dhe të mbyllësh universitetet është e pakuptimtë. “Masat duhet të jenë të bazuara mbi evidenca dhe jo si kjo e sotmja”.

Mjeku u shpreh se nuk mund të luftohet koronavirusi në këtë periudhë me të njëjtat masa si në mars. “Sot, ne mund të mbajmë aktivitetet esenciale në funksionim dhe kjo gjë po ndodh në të gjithë Europën. Të mendosh që mund ta luftosh koronavirusin në nëntor me të njëjtat metoda që e luftove në mars, do të thotë që të ka ngelur ora prapa. Tregon që di të bësh vetëm vendosjen e masave represive”, tha ai.

Sa i përket imunizimit të tufës, Dasho u shpreh se jemi ende shumë larg. “Nuk mendoj të eksperimentojmë tani në nëntor, pasi pasojat do të ishin të paparashikueshme”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos