Situata jashtë kontrollit, vonesat e tamponit rrisin ankthin, rastet dhe rrezikun për jetën

Nga A2 CNN
9 Nëntor 2020, 16:17 | Aktualitet
Situata jashtë kontrollit, vonesat e tamponit rrisin ankthin, rastet dhe

Situata nga pandemia në Shqipëri ka dalë jashtë kontrollit. Ky fakt konfirmohet nga mjekët e familjes të cilët jashtë kamerës denoncojnë dështimin e testimit dhe hetimit epidemiologjik.

Mjekët pranë qendrës shëndetësore numër 3, 7 dhe 8 në kryeqytet tregojnë për A2CNN se vonesat në marrjen e tamponit dhe në nxjerrjen e përgjigjes po e përhapin koronavirusin në popullatë.

Pa dashur të identifikohen, mjekët e familjes thonë se shumë pacientëve të tyre, me shenja tipike të Covidit, iu merret tamponi pas 10 ditësh referim, e po kaq iu duhet për të dalë pergjigjja.

Gjatë kësaj periudhe, të dyshuarit për Covid lëvizin lirshëm në rrugë, përfundojnë në spital, mund të jenë shëruar, por ka dhe raste sipas mjekëve që i prekuri ka ndërruar jetë dhe familjarët janë njohur më vonë me përgjgjen e tamponit.

Berti nga Fieri është një nga këto raste. Babai i tij është shtruar në infektiv për Covid por pergjigjja e tamponit ende nuk i ka dalë. I biri thotë se analiza iu bë vetëm pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, pasi më herët iu thuhej se nuk  kishte tampone.

Për të mos qenë pjesë e kësaj panorama në spitalet Covid, Erjola nga Tirana nuk priti tamponin në shtet, por iu drejtua menjëherë privatit për bashkëshortin e saj.

Paratë e ushqimeve shkuan për analiza dhe ilaçe. Por, epidemiologët në terren thonë se vijojnë punën sipas protokollove dhe se janë shtuar testimet. Vetëm në Tiranë bëhen çdo ditë, 400 testime.

Ndërsa Instituti i Shëndetit Publik aty ku testohen të gjitha tamponet për Covid, është hermetik në lidhje me situatën dhe vonesën në daljen e përgjigjeve. Por, ky qëndrim nuk bën gjë tjetër veçse rëndon situatën duke shtuar rastet dhe humbjet e jetës.

(A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos