Përmbyset cisterna me 7 mijë tonë naftë pranë Ibizës, humb jetën një anëtar i ekuipazhit

Nga A2 CNN
26 Nëntor 2026, 17:45 | Bota

Përmbyset cisterna me 7 mijë tonë naftë pranë

Një cisternë nafte është përmbysur në brigjet e ishullit të Ibizës në Spanjë, duke shkaktuar vdekjen e një anëtari të ekuipazhit. Anija, e identifikuar si “Med Emre”, transportonte deri në 7 mijë tonë naftë dhe kishte në bord 17 persona.

Sipas autoriteteve spanjolle, të gjithë anëtarët e ekuipazhit u shpëtuan, por shtatë prej tyre u transportuan në spital për trajtim mjekësor. Njëri prej tyre ndërroi jetë më vonë, ndërsa gjashtë të tjerët raportohet se kanë pësuar dëmtime të lehta, përfshirë hipoterminë.

Anija, e cila lundronte me flamur maltez, u përmbys rreth 46 kilometra larg brigjeve të Ibizës, ndërsa ishte në udhëtim nga Algeciras drejt Barcelonës.

Pas incidentit, autoritetet spanjolle kanë nisur vlerësimin e dëmeve të mundshme mjedisore. Në zonë është dërguar edhe anija “Clara Campoamor”, e specializuar për monitorimin dhe kontrollin e ndotjes detare, ndërsa një avion po monitoron situatën nga ajri.

Deri më tani nuk ka informacion të konfirmuar për një derdhje të mundshme të naftës në det.

Drejtori rajonal i emergjencave, Pablo Gárriz, bëri të ditur se cisterna nuk është fundosur plotësisht, por ka mbetur pjesërisht e zhytur, çka mundëson ndërhyrjen për operacionet e rimëkëmbjes. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos