Kuvendi Kombëtar vendos: Më 22 maj zgjidhet kryetari i ri i PD

Nga A2 CNN
30 Prill 2022, 08:38 | Politikë

14:25 - Berisha, akuza Ramës: Shqipëria, epiqendra e luftës së ftohte të Serbisë ndaj Kosovës

Sali Berisha, në fjalën e tij në Kuvendin Kombëtar të PD-së, lëshoi akuza të rënda ndaj Edi Rama, duke përmendur këtu edhe marrëdhëniet e kryeministrit me Vuçiç.

Ish-kryeministri tha se Rama e ka kthyer Shqipërinë në epiqendër të luftës së ftohtë të Serbisë ndaj Kosovës. “Kryetarë shtetesh hapin sytë kur e dëgjojnë Ramën të flasë me aq pasion për Vuçiç. Ne jemi për bashkëpunim rajonal, por nuk mund ta shndërrojmë Shqipërinë në epiqendër të luftës së ftohte ndaj Kosovës”, tha Berisha.

Ndërkohë, ai nuk la pa komentuar edhe shpalljen non grata nga SHBA. “DASH më ka sanksionuar për akuza për të cilat nuk ka asnjë fakt provë dhe dokument. Jam sanksionuar nga lobimi i Sorosit të Edi Ramës. Cilido që do të paraqesë një fakt provë apo dokument kundër Sali Berishës ai është i gatshëm të marrë çdo masë ndaj vetes së tij… Unë jam Sali Berisha. Kurrë-kurrë shpifjen, gënjeshtrën nuk e pranoj për të vërtetë. Ju jam mirënjohës ju të cilët ndani me mua këtë qëndrim. Ky Kuvend hap kapitullin e përballjes me qeverinë. Edi Rama është kryeministri më i pashkollë në historinë e Shqipërisë. Po dhe po. Shqipëria në të katër anët e saj lëngon. Edi Rama me burgosje, dhunë vret shpresën në çdo shesh të Shqipërisë”, tha Berisha.

13:45 - Kuvendi Kombëtar, Berisha: PD nuk vdes kurrë

Sali Berisha, mes ovacioneve të të pranishmëve në Kuvendin Kombëtar të PD-së, u shpreh se kjo parti nuk vdes kurrë, pavarësisht problemeve me të cilat është përballur gjatë rrugës.

“Jemi sot këtu më të fortë se kurrë më parë. Koha ju thërret ju të çoni përpara kauzën tonë. Me këta delegatë, me drejtimin e ri të PD-së do të bëjmë gjithçka të dalin sa më shumë në krye të kësaj partie, si rruga më e sigurt e fitores së saj.

Demokratët shqiptarë vijnë në këtë kuvend kryelartë me forcë politike, me trashëgiminë e saj. Ajo përmbysi një nga diktaturat më të egra në Europë. Më 11 dhjetor patëm një ditëlindje të dytë, në një kuvend historik, rilindi përsëri PD-ja, kjo parti nuk vdes kurrë, ajo jeton dhe do të jetojë në idealet më fisnike shqiptare”, tha Berisha.

13:43 - Berisha rrëzohet teksa po ngjitej në podium

Ish-kryeministri Sali Berisha është rrëzuar teksa po ngjitej në podiumin e Kuvendit Kombëtar të PD, pasi u pengua te shkallët. Megjithatë, edhe pse në moshën 77-vjeçare, ai arriti të ngrihej pa lëndime.

13:00 - Kokalari: Jemi pasardhës të Gjergj Kastriotit, s’mund të na imponohet lideri

“Unë prezantoj gruan shqiptare të lindur dhe rritur në Shqipëri nën regjimin komunist dhe konservatorizimin amerikan dhe parimet e saj. Shqipërisë nuk mund t’i imponosh një lider me urdhër nga elementë të huaj, sepse jemi pasardhës të Gjergj Kastriotit”.

Kështu u shpreh në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike këtë të shtunë anëtarja e Rithemelimit, Evi Kokalari.

“Kjo është tokë e ilirëve dhe shqiponjave, ne jemi njerëz të zakoneve dhe kanuneve, mikpritës dhe të besës. Por kjo mikpritje ka raste kur merret me naivitet dhe dobësi dhe jemi të detyruar t’u tregojmë vendin miqve problematikë.

Amerikanët janë kundër ndërhyrjeve në politikën e brendshme. Më vjen turp si është prezantuar Amerika në vitet e fundit.

Joe Biden ka marrë peng Amerikën. Nëse do ishte Trump nuk do të kishte luftë në Ukrainë dhe Berisha nuk do të ishte shpallur non grata”, tha Kokalari.

12:25 - Miratohet data, më 22 maj demokratët zgjedhin kryetarin e ri

12:00 - Topalli me lot në sy: S’jam larguar nga PD, ka ikur ajo nga demokratët

Jozefina Topalli është ngjitur në podiumin e Partisë Demokratike me lot në sy. Mes të tjerash, Topalli u shpreh se ajo nuk është larguar asnjëherë nga Partia Demokratike.

“Cili ishte fillimi i rënies sonë? Dita kur filluan të rrëzohen vlerat kur mbi të cilat u ngrit kjo parti. Kjo ka ndodhur dhe ne kemi heshtur. Pas 2013 tatëpjeta mori vrapin. Disa përcaktuan kryetarin e ri, me shpresë se e ardhmja do të na buzëqeshte. Por e ardhmja ishte rrokopujë. Pas 2013, PD-ja hyri në krizë të thellë. Udhëheqja në parlament bënte pazare, kurse deputetët betejë me krimin. Ditë pas dite dhe vit pas viti në vend që të hapeshin u mbyllën. Në vend të dëgjimit të njëri tjetrit, nisi shpallja e grupeve armiqësore. Çadra, bojkoti dhe fundja që nisi të quhej fitore”, tha ajo. Më tej, ajo pati edhe një thirrje për Alibeajn. “Jo vetëm PD është në krizë, por balancat janë prishur, çdo gjë është kthyer në korrupsion. Sot jam këtu edhe sepse besoj që asgjë nuk është e pamundur. Partia jonë është e plagosur. Mos lëndoni më shumë plagët tona, atyre që çojnë partinë e tyre në gjykata, u them “boll e keni lënduar këtë parti, nga e cila keni marrë pa fre dhe pa meritë”.

https://youtu.be/Fkj_PZDfV3Y

11:40 - Berisha e riktheu në PD, Imami ka një vërejtje

Ish-ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ishte një nga emrat e rikthyer në Partinë Demokratike që morën pjesë në Kuvendin Kombëtarë këtë të shtunë. Në fjalën e tij, Imami u shpreh se PD duhet të jetë e hapur për të gjithë, ndërsa bëri edhe një vërejtje.

“Primaret do të hapin rrugën për njerëz të rinj, modele të komuniteteve ku jetojnë. Ka njerëz në këtë vend, me kontribute dhe aftësi. Partia duhet të jetë e hapur për ata, por edhe një vërejtje. Të mos mbetemi me formulimet e vjetra, “të rinj dhe të vjetër”, këto ishin parullat komuniste të para 20 viteve, kur thoshin “Nano, Berisha duhet të ikin se kanë kaluar moshën, këta u plakën por mbetën “Peter Pan” si kryeministra dhe kryetar partie, Rama, Basha, etj”, tha ai.

11:24 - Në sallë janë 1838 persona, nga të cilët 1425 delegatë

11:17 - Këlliçi: Jemi me dorën e shtrirë, kjo është opozita e re

Belind Këlliçi ishte i pari që e mori fjalën në nisje të punimeve të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike. Ai u bëri thirrje demokratëve të bashkohen me Rithemelimin, duke theksuar se kjo është opozita e re.

“Gjendja do të ndryshojë. Rruga drejt ndryshimit nuk kalon nga qeveria, por nga opozita e re. I vetmi ndryshim është ai përmes ndryshimit tonë. Ne nuk do të jemi kurrë një opozitë fasadë. Kjo do ta ndryshojë Shqipërinë. Momenti nuk është i largët, por sot këtu, në këtë kuvend. Pas shumë debateve, edhe të pahijshme dhe të palavdishme, jemi këtu sot me dorën e shtrirë. Kjo është opozita e re. Edi Rama dhe Lulzim Basha shkallmuan votën e lirë”, tha ai.

10:52 - I shoqëruar nga bashkëshortja, por me Këlliçin në krahun i djathtë, Berisha shkon në Kuvend: Ditë e madhe

Ish-kryeministri Sali Berisha mbërriti në Pallati e Kongreseve ku ka nisur punën Këshilli Kombëtar i PD-së i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, ndërsa në anën e djathtë të tij ishte deputeti Belind Këlliçi. Berisha në fjalën e tij të shkurtër para se të hynte në Pallatin e Kongreseve, Berisha u shpreh se kjo është një ditë e madhe për demokratët.

“Një përshëndetje të përzemërt të gjithë delegatëve në këtë sallë, mbi 40 e ca mijë anëtarëve që morën pjesë në këtë proces, zgjedhësve shqiptarë. Kjo është një ditë e një rëndësie të madhe pas ditëlindjes së dytë të PD-së në konstituimin e forumeve të saj si opozitë e vërtetë shqiptare”, tha Berisha.

10:40 - Topalli në Kuvendin e PD: Kaluan vitet me opozitë të rreme, ky është moment reflektimi

Jozefina Topalli është një nga emrat e rikthyer në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike këtë të shtunë. Para nisjes së punimeve, ajo u shpreh për A2 CNN se ky është një moment i madh për reflektim.

“Demokracia në tërësi po sfidohet nga autokratizmi. Në fakt, duket paradoksale që në kohët digjitale demokracia të vuajë siç vuan këtu. Dëshmi e kësaj është klasa politike shqiptare. Në mënyrë të veçantë mungesa e opozitës reale. Kemi kaluar vite kur opozita ishte e rreme dhe ky ishte dëmi më i madh që mund t’i bëhej demokracisë sonë. Ky është një moment i madh reflektimi dhe duhet ta ndajmë bashkë. Është momenti për të filluar një opozitë të vërtetë. Nuk është e thjeshtë, por ne ia kemi dalë edhe më parë. Unë jam shumë më optimiste se 2-3 vite më parë”.

Ora 10:25 - Iu bashkua Rithemelimit, Hajdari: Ky është Kuvendi më i mirë

Rudina Hajdari është një nga emrat që i është bashkuar Rithemelimit në Kuvendin Kombëtar të kësaj të shtune. Para nisjes së Kuvendit, Hajdari foli për A2 CNN ku u shpreh se ky është një nga Kuvendet më të mirë.

“Ky është një nga kuvendet më të mira, pasi pjesëmarrja është e lartë. Do ta shohim edhe kur të ulemi. Edhe unë do të mbajë fjalën në këtë Kuvend. Janë bërë disa ndryshime të vogla në statut. Në vazhdim do të kemi edhe propozime të tjera. Unë kam propozuar që anëtarët e këshillit kombëtar të mund të propozohen edhe me 50 apo 60 firma”, tha Hajdari.

***

Mbahet sot Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike, që do të vendosë shumë për linjën e re të partisë opozitare pas ikjes së Lulzim Bashës.

Në Kuvendin Kombëtar, i cili do të nisë në orën 10:00 dhe do të mbahet në Pallatin e Kongreseve”, do të marrin pjesë 1 mijë e 100 delegatë të zgjedhur nga degët e PD-së në të gjithë Shqipërinë.

Bashkë me ta do të jenë edhe anëtarët aktualë të Këshillit Kombëtar, plus delegatët e rinisë dhe gruas dhe numri shkon në 1800 delegatë.

Burime të A2 CNN thonë se parashikohen 20 folës, prej të cilëve figura të rikthyera në PD, themelues, personalitete nga jashtë dhe të rinj.

https://a2news.com/2022/04/29/kuvendi-kombetar-i-pd-vijojne-pergatitjet-ne-pallatin-e-kongreseve/

Parashikohet që votimi për anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar të nisë në orën 13:00. Kuvendi do të propozojë ndryshime statutore dhe do të votojë për Këshillin e ri Kombëtar.

Partia Demokratike bëri publike 421 kandidaturat për anëtarë të Këshillit Kombëtar. Mes tyre, 1100 delegatët e Kuvendit do të zgjedhin 150 emrat që do të jenë pjesë e Këshillit.

https://a2news.com/2022/04/29/kuvendi-i-30-prillit-pd-publikon-emrat-e-kandidateve-per-keshillin-kombetar/

Lista e kandidatëve përbëhet nga shume emra të kohës kur Berisha kishte drejtimin e partisë, që tashmë rikthehen.

Bie në sy kandidatura e Arben Imamit, i larguar më parë nga Basha, si dhe Rudina Hajdari e Myslym Murrizi që u përjashtuan pasi refuzuan të digjnin mandatet parlamentare.

Në listën e kandidatëve për Këshillin Kombëtar nuk mungojnë as kritikë të Berishes, si Fatbardh Kadilli, si dhe njerëz të cilët ishin pranë Lulzim Bashës si Patrik Sadikaj. (A2 Televizion)

https://a2news.com/video/demokratet-drejt-kuvendit-te-30-prillit-sa-u-arrit-bashkimi-i-partise-2/
https://a2news.com/2022/04/30/iu-bashkua-rithemelimit-hajdari-ky-eshte-kuvendi-me-i-mire/

A2 CNN Livestream

Latest Videos