Ndihmës sekretarja Donfried pas takimeve në Tiranë: Amerikanët nuk takohen me “non grata”

Nga A2 CNN
29 Prill 2022, 19:00 | Politikë
Ndihmës sekretarja Donfried pas takimeve në Tiranë:

Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike Karen Donfried ka dhënë një intervistë për Zërin e Amerikës pas takimeve që zhvilloi në Tiranë me kryeministrin Rama dhe zyrtarët e opozitës.

Pasi shpjegoi temat e bisedimeve në Tiranë, Donfried u shpreh se amerikanët nuk takohen me persona “non grata” siç është rasti i ish kryeministrit Sali Berisha, duke shtuar se njeh Bardhin, Alibeajn dhe Tabakun si drejtues të opozitës.

“Sekretari Blinken e shpalli Z. Berisha për shkak të akteve të korrupsionit ku ishte përfshirë dhe unë, si zyrtare e qeverisë së SHBA, nuk mund të takohem me persona të shpallur. Besoj që pozicioni i SHBA është shumë i qartë. Në fakt u takova sot me drejtues të opozitës dhe do të ndaj me ju faktin që më bëri përshtypje se sa shumë biseda jonë u përqendrua jo tek e kaluara por tek e ardhmja dhe se çfarë PD kërkon të arrijë dhe pret për sa i përket çuarjes përpara të objektivave të Shqipërisë.

U takova me ta në cilësinë time si Ndihmës Sekretare e Shtetit për Çështje të Europës dhe Euroazisë dhe në cilësinë e tyre si drejtues të Partisë Demokratike. Dhe është diçka shumë e zakonshme kur udhëtoj që të takohem si me anëtarë të qeverisë ashtu edhe me anëtarë të opozitës. Dhe për mua është gjithnjë shumë frymëzuese, diçka që të ngacmon të menduarin dhe e dobishme të dëgjosh perspektiva të ndryshme nga këndvështrime të ndryshme”, tha mes të tjerash zyrtarja e lartë amerikane. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos