Mbi 11 milionë të infektuar në SHBA, shtetet shtojnë masat

Nga A2 CNN
16 Nëntor 2020, 11:11 | Bota
Mbi 11 milionë të infektuar në SHBA, shtetet shtojnë masat

Më shumë shtete amerikane po shtojnë kufizimet për frenimin e pandemisë së Covid-19, ndërsa rastet e konfirmuara arritën në 11 milionë.

Miçigani dhe Uashingtoni janë të fundit që rikthyen masat strikte. Shkollat e mesme dhe kolegjet do të kalojnë online, ndërsa restoranteve u ndalohet të ofrojnë shërbim në ambientet e brendshme në shtetin e Miçiganit. Gjithashtu, në Uashington nuk do të lejohet konsumi i ushqimit në ambient të mbyllur, ndërsa palestrat, kinematë, teatrot dhe muzetë do të ulin qepenët.

Oregoni dhe Nju Meksiko njoftuan kufizime më strikte, të shtunën. Kalifornia u bë shteti i dytë pas Teksasit që arriti 1 milion raste, duke detyruar autoritet të pezullonin planet për rihapjen. Më shumë se 1 mijë persona po vdesin çdo ditë nga virusi dhe shtrimet në spital kanë arritur në nivele rekord. Ekspertët paralajmërojnë se piku do të arrihet pas festës së falenderimeve, me shumë prej tyre që shprehen të tmerruar për atë që mund të ndodhë këtë sezon festash.

“Njerëzit do të udhëtojnë, pasi shumë nuk besojnë te shkenca e të tjerë janë të lodhur me masat. Do të shohim një shpërthim të paprecedentë rastesh pas ditës së falenderimeve, dhe me shumë gjasë edhe pas Krishtlindjeve”, tha James Phillips, ekspert i shëndetësisë.

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, foli me tone optimiste gjatë fundjavës, duke thënë se shpresonte në shpërndarjen e 20 milionë dozave të vaksinës, në muajin dhjetor, e për çdo muaj të vitit të ardhshëm. Por, ekipi i presidentit të zgjedhur Joe Biden, tha se refuzimi i Shtëpisë së Bardhë për të lehtësuar transferimin e pushtetit nënkupton se administrata e re po përjashtohej nga planifikimi i fushatës së vaksinimit, që do të jetë prioritet i Biden kur të marrë detyrën, në janar.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos