
Që nga fillimi i luftës, Rusia ka lëshuar në Ukrainë më shumë se 2 mijë raketa. Kështu pretendon presidenti Volodymyr Zelensky, i cili situatën në zonën e fundit të rezistencës në Mariupol, në metalurgjikun Azovstal, e konsideroi një ferr në tokë.
“Aktualisht, sulmet dhe bombardimet e Rusisë në Azovstal nuk po ndalojnë. Por ende duhet të nxirren civilët, gratë dhe fëmijët. Aty mbetën shumë fëmijë. Vetëm imagjinoni këtë ferr! Aty ka fëmijë! Më shumë se dy muaj sulme të vazhdueshme, bombardime, vdekje të vazhdueshme aty pranë”, tha Zelensky.
Ai shtoi se operacionet e shpëtimit nga Mariupoli po vijojnë me ndihmën e Kombeve të Bashkuara dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq. Një mjek që trajton njerëzit në impiantin Azovstal u shfaq në një video duke i bërë apel për ndihmë presidentit turk, Recep Tayipp Erdogan.
“Ëndrra ime është t’i evakuojmë të gjithë njerëzit, përfshirë ushtarët, nga territori i Azovstal. Të ndalojmë këtë horror. Vetëm 160 kilometra larg nga ju, njerëzit po vriten, dhe qëllimi i vetëm i tyre është të mbrojnë tokën e tyre. Gra dhe fëmijë. Ne nuk kemi sulmuar askënd”, thotë mjeku Hasan, tartar nga Krimea.
Ndërsa nga ana tjetër, Rusia pretendon se është ushtria e saj që po mundëson largimin e civilëve nga metalurgjiku Azovstal. Sakaq, bombardimet nuk kanë ndaluar as në zona të tjera. Shpërthime të fuqishme janë raportuar në rajonin verior të Ukrainës, Kherson dhe në atë të Mykolaiv, në jug të vendit, ku u shënjestruan vendbanimet nga ku ishte tërhequr ushtria ruse. Duke filluar nga ora 6 e mëngjesit, raketat dhe artileria po godasin zonat e banuara dhe periferitë e qytetit lindor të Kharkiv. Gjithashtu në lindje të vendit, operacionet sulmuese të Moskës vazhduan në rajonet Donetsk dhe Luhansk. (A2 Televizion)