Familja mbretërore në Britani është përfshirë edhe një herë në skandalin e Jeffrey Epstein, pasi gazeta “The Telegraph” publikoi të dielën një foto të vitit 2002, ku bashkëpunëtorja e tij, Ghislaine Maxwell shihet e ulur në fronin mbretëror në “Buckingham Palace”, bashkë me aktorin Kevin Spacey.
Gazeta raportoi se ata ishin të ftuar aty nga Princi Andrew, një pjesëtar i familjes mbretërore, i akuzuar për abuzime me të mitur nga një prej viktimave të Epstein. Ai i mohon akuzat dhe gjatë një interviste me BBC nëntorin e kaluar, sugjeroi se një fotografi e tij me Maxwell dhe akuzuesen Virginia Roberts Giuffre, ka qenë e montuar.

Gjithsesi, Princi, i cili është filmuar më parë duke vizituar shtëpinë e Epstein në Nju Jork, është vënë edhe një herë tjetër nën presion, pas arrestimit të Maxwell nga FBI, me akuzën e rekrutimit të vajzave të mitura, që më pas shfrytëzoheshin nga Epstein (i cili u vetëvra në qeli) dhe persona të tjerë. Ulja në fronin mbretëror konsiderohet si fyerje, pasi askush tjetër nuk mund të ulet aty. (A2 Televizion)