Politologu Adri Nurellari deklaroi se gjatë viteve të Partisë Socialiste, mosha mesatare e popullsisë është rritur, pasi të rinjtë kanë zgjedhur të largohen jashtë vendit.
Sipas tij, të rinjtë e vetëm që kanë përfituar nga qeverisja aktuale janë “petalet” socialiste.
“Shqipëria po humbet popullsinë. Kemi jashtë mbi gjysmën e popullsisë. Në vitin 2014, mosha mesatare ka qenë 34,2 vjeç. Sot është 45 vjeç dhe është më shumë se mesatarja e Bashkimit Europian. Brenda këtyre viteve të “lavdishme” të Partisë Socialiste ia kanë dalë që ta plakin popullsinë me 10.8 vjet sepse faktikisht nuk i kanë siguruar rinisë asgjë. Ka një rini që përfiton, ata që janë “petalet” e shndritshme socialiste, të cilat nëpërmjet rreshtimit në parti shpërblehen në forma nga më të ndryshmet. Rinia prandaj edhe proteston sepse shikon që s'ka mundësi dhe s'ka të ardhme. Nuk është rastësi që vitin e kaluar ka marrë rezidencë për herë të parë në Bashkimin Europian 68 000 qytetarë të Republikës së Shqipërisë. Mosha mesatare e tyre është 27 vjeç dhe 77% prej tyre janë nën 40 vjeç. Ky është indikatori më kokëfortë”, tha Nurellari në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
Sipas tij, “njerëzit po votojnë me këmbët e tyre duke u larguar nga vendi sepse nuk shikojnë të ardhme”.
“Jo vetëm se janë të zhgënjyer me Partinë Socialiste, por nuk shikojnë as nga Partia Demokratike ndonjë ofertë. Mungesa e një kundëroferte të vlefshme nuk i ushtron as presion mazhorancës që të performojë më mirë sepse ata as nuk futen në garë, as japin llogari te trajneri sepse bëjnë autogola gjithmonë duke bërë një ofertë e cila i përket tre dekadave më parë”, shtoi Nurellari.
(A2 Televizion)