







































Një pjesë e njësive të Forcës Tokësore kanë kryer disa stërvitje ushtarake tepër të rëndësishme gjatë ditëve të fundit, pjesë e të cilave ishte edhe Batalioni Komando.
Ky i fundit zhvilloi një stërvitje fushore-ujore në bazën e Pashalimanit. Në videot e publikuara në rrjetet sociale nga Forca Tokësore, efektivët shihen të kryejnë simulim operacionesh në det të hapur, për kapjen dhe marrjen në kontroll të mjeteve detare.
“Qëllimi është rritja e aftësive dhe kapaciteteve të Batalionit Komando për operacionet ujore. Kursi kryesor në këtë stërvitje ka qenë në mënyrën e drejtimit të mjeteve ujore në operacion, si gomonet, skafet dhe anijet. Teknikat dhe taktikat e procedurat që përdoren në operacionet ujore, kalimi i pengesave ujore, si dhe rritja e aftësive individuale e kolektive në not”, thotë Nënkoloneli Pëllumb Hidri, komandant Batalioni.
Një stërvitje tepër të rëndësishme kanë kryer në ditët e fundit edhe forcat e Batalioni të mbështetjes me luftime i forcës tokësore, në zonën e Rreth Grethit, në Rrogozhinë. Në këtë stërvitje u kryen simulimet e mbrojtjes nga armët kimike, të dëmtimit në masë, pastrimin e zonave të minuara dhe shpëtimin e personave të mbytur në det.
“Qëllimi konsiston në rritjen e aftësive operacionale të kapaciteteve që zotëron ky Batalion. Sot po zhvillojmë stërvitje me tre stacione, kompaninë e kimisë, kompaninë e xhenios, si dhe një stacion ku trupat aftësohen për dhënien e ndihmës së parë në rast mbytjeje në det”, tha Nënkolonel Eduart Përlesha, shef shtabi.
Efektivët e Forcës Tokësore shihen në video me veshje të posaçme, duke u stërvitur në izolimin e pastrimin e zonave të kontaminuara, si dhe duke përdorur mjete të specializuara për të zbuluar dhe larguar minat antinjeri. (A2 Televizion)