
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka akuzuar Rusinë për vazhdimin e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, pavarësisht njoftimit të presidentit amerikan Donald Trump për një armëpushim mes dy vendeve në këtë sektor.
Sipas kreut të shtetit ukrainas, goditje janë regjistruar në Kiev dhe në rajonin e Kharkivit, ndërsa Kievi pret nga Moska një përgjigje të qartë për zbatimin e marrëveshjes.
Zelensky deklaroi se Ukraina është e gatshme të ndalojë sulmet ndaj infrastrukturës energjetike ruse, por theksoi se i njëjti angazhim duhet të vijë edhe nga pala ruse.
“Ukraina dëshiron paqe. Pyetja është nëse edhe Rusia e dëshiron atë”, u shpreh presidenti ukrainas, duke i bërë thirrje homologut rus, Vladimir Putin, të tregojë gatishmëri për një marrëveshje që do të çonte drejt një paqeje të qëndrueshme.
Sipas të dhënave të publikuara nga Zelensky, gjatë javës së fundit Rusia ka kryer më shumë se 200 sulme ndaj objekteve të prodhimit dhe transmetimit të energjisë elektrike në Ukrainë, si dhe 17 sulme të tjera ndaj infrastrukturës së gazit dhe naftës.
(A2 Televizion)