
Sirenat e luftës u dëgjuan sërish në Kiev këtë të mërkurë duke ftuar qytetarët t’u drejtohen bunkerëve. Trupat ruse i janë afruar kryeqytetit, e megjithatë, sipas të dhënave të Ministrisë Britanike të Mbrojtjes, kapja e Kievit për momentin ka dështuar.
Britania e Madhe thotë se mbrojtja ajrore ukrainase, edhe pa mjete të gjeneratës së fundit, po siguron suksese të konsiderueshme ndaj Rusisë.
Në një fjalim historik për Dhomën e Komunëve në Mbretërinë e Bashkuara, presidenti Volodimir Zelenski u shpreh i vendosur për ta fituar luftën ndaj Rusisë dhe përsëriti fjalët e famshme të Winston Churchill.
“Ne nuk do të dorëzohemi, nuk do të humbim. Do të luftojmë deri në fund. Do të luftojmë në det, në ajër. Do të mbrojmë tokën tonë me çdo kusht. Do të luftojmë në pyje fusha dhe në brigje, në qytete dhe fshatra, në rrugë e në kodra”, deklaroi Zelensky.
Ndërsa kërkoi masa më të forta kundër atij që e quajti shtet terrorist, Zelenski tha se mbi 50 fëmijë ukrainas ishin vrarë në 13 ditë luftë.
Pavarësisht se po lejon evakuimet nga disa prej zonave më të rrezikuara, ushtria ruse vazhdon pa u ndalur bombardimet në qytetet ukrainase. Të paktën 10 vetë u vranë në qytetin e Severodonestk, në rajonin e Donbas.
Centrali bërthamor i Zaporizhzhia është tashmë nën kontrollin e plotë të forcave ushtarake ruse, bën të ditur garda kombëtare e cituar nga Interfax. Kievi pretendon se forcat pushtuese po torturojnë personelin e centralit bërthamor.
Sakaq shkëputen të gjitha lidhjet me centralin e Chernobilit, i marrë gjithashtu nën kontroll nga ushtria ruse. Agjencia ndërkombëtare për energjinë bërthamore thotë se sistemet e monitorimit në distancë të materialeve nukleare kanë ndërprerë transmetimin e të dhënave. (A2 Televizion)