15:58 – Mbyllet protesta e opozitës, pas gati 5 orësh. Duke falënderuar protestuesit për qëndresën e treguar, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ftoi protestuesit që të rimblidhen në shesh të enjten e javës së ardhshme, në orën 10:00, po përballë sheshit para Kryeministrisë.
“Populli do t’i japë një përgjigje tjetër narko-shtetit duke marrë fatin në duart e tij dhe për t’i dhënë fund një Parlamenti të vendosur nga vota e drogës dhe vota e popullit shqiptar”, tha Basha.
15:20 – Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, dhe Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi, kanë zhvilluar një takim kokë më kokë për pak minuta në shesh, duke u rrethuar nga truprojat, për të mos lejuar afrimin e kamerave.
Zonja Kryemadhi nuk pranoi të tregonte se çfarë kishte biseduar me Bashën, por tha se protesta do të vazhdojë ndërsa nuk i ka kursyer as akuzat për Kryeministrin Rama. “Ka përdorur lëndë helmuese ndaj popullsisë. Edhe zjarri, edhe dhuna bëhet nga provokatorët, nga njerëzit e tij, që janë futur për të provokuar”, tha Kryemadhi. “Sot, nesër, pasnesër, këtu na ka, nuk shpëton. Ne nuk marrim vendim, vendimin e merr populli. Ne zbatojmë dëshirën e popullit. Do të qendrojmë këtu. i bëj thirrje njerëzve të mos bien pre e provokimit”.
14:00 – Vazhdon prej rreth 2 orës protesta e opozitës para Kryeministrisë. Pas disa përpjekjeve për futjen brenda godinës dhe përgjigjes së policisë me gaz lotsjellës, protestuesit janë rigrupuar. Mes tyre ndodhen edhe Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, por edhe deputetë të tjerë të opozitës si Fatmir Mediu, Sali Berisha, Agron Shehaj, etj.
Mes protestuesve, Basha u shpreh: “Ky është reagimi i popullit dhe rruga e zgjidhjes është krijimi i një qeverie tranzitore që të gëzojë besimin e palëve për të bërë të gjitha reformat e nevojshme, përfshirë ato që garantojnë fundin e shit-blerjes së votës dhe t’i hapim kështu rrugë futjes së vendit në Europë. Në Europë nuk shkohet me një narko-Kryeministër. Kudo në botë kur ndodh kjo qeveria largohet dhe hajdutët shkojnë në burg. Kështu nuk vazhdohet më dhe nuk do të vazhdojë më. Qytetarët kanë marrë në dorë sot fatin e tyre, unë jam krah tyre”.
13:20 - Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri ka reaguar për protestën e opozitës, duke dënuar dhunën. “U bëjmë thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje të menjëhershme. E drejta e qytetarëve për t’u shprehur përmes protestës paqësore është një vlerë thelbësore e një demokracie moderne evropiane”.
“Megjithatë, dëmtimi i pronës publike dhe përdorimi i dhunës nuk janë të pranueshme. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të bëjnë çmos për të shmangur dhunën dhe çrregullimin e mëtejshëm, thuhet në reagim.
13:14 - Për ngjarjet e orëve të fundit pranë Kryeministrisë ka reaguar edhe Ambasada Amerikane, e cila kërkon shmangien nga dhuna.
“Ambasada e Shteteve të Bashkuara dënon me forcë dhunën dhe shkatërrimin që ndodhën gjatë protestave të sotme në Tiranë. Mbështesim të drejtën e qytetarëve për të protestuar paqësisht, por dëmtimi i pronës publike dhe dhuna nuk janë të pranueshme”, thuhet në reagimin e Ambasadës.
13:11 – Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj reagon në Twitter për përshkallëzimin e protestës. “I bëj thirrje gjithë drejtuesve politikë që të distancohen nga dhuna që po ushtrohet ndaj institucioneve të Shqipërisë. Ftoj qytetarët të distancohen nga elementët e dhunshëm. Është me shumë vlerë të dëgjohet zëri i arsyeshëm i miqve të mëdhenj të Shqipërisë. Jo dhuna, por arsyeja na afron drejt Europës së vlerave tona!”, shkruan Lleshaj.

Deri tani raportohet për dy policë të lënduar, të cilët janë dërguar në spitalin e Traumës për kurim. Njëri prej tyre është goditur në kokë me mjete të forta, ndërsa tjetri në shpinë.
13:00 - Ish kryeministri Sali Berisha qëndron bashkë me protestuesit përballë kryeministrisë. Në mikrofonin e A2, Berisha deklaroi se kryeministri “duhet të ishte në zyrë dhe të konfrontohej me protestën më të fuqishme që ka njohur Tirana. Nuk ishte dita për të ikur, por për të nderuar zyrën dhe flamurin. Ai nuk ka nder, as moral, është frikacak, por të dëgjojë zërin, sepse ky është mesazh i tmerrshëm për Edi Ramën, e pa bota sa është urrejtja e popullit”.
Sipas Berishës , “kjo ditë e ka shndërruar Edi Ramën në kufomë politike, se kur do ta bëjnë ceremoninë mortore është në duart e qytetarëve, por sot ata e kanë ekzekutuar politikisht”.
12:35 - Garda vendos gardh me gjemba në hyrjen anësore të Kryeministrisë dhe hedh gazlotsjellës.
12:20 – Kryeministri Rama ka reaguar përmes një postimi në Instagram duke postuar dy foto, nga protesta e opozitës dhe takimi i tij në Vlorë.
“SOT - Bashkëqeverisja me njerëzit në Vlorë dhe Politika e dalë boje në Tiranë”, shkruan Rama në Instagram.
11:53 - Protestuesit janë tërhequr nga hyrja e Kryeministrisë, disa prej tyre të lënduar, pasi policia ka hedhur gaz lotsjellës në drejtim të tyre. Ata u përpoqën të futen brenda ambienteve të Kryeministrisë duke tentuar të prishin skelën që rrethon hyrjen si dhe shembjen e derës kryesore me mjete të ndryshme.
Gazetari i A2 CNN Julian Kasapi raporton se edhe 4 policë janë dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa protestuesit nga larg po gjuajnë edhe me gurë drejt Kryeministrisë, ndërsa efektivët e gardës i përgjigjen me ujë me presion.
11:30 - Është tensionuar protesta e thirrur nga opozita, me protestuesit që kanë çarë rrethimin e policisë dhe kanë ngjitur shkallët e Kryeministrisë, duke grisur edhe mbulesën e skelës në hyrje të policisë.
Nuk kanë munguar edhe shashkat dhe flakët, ndërsa protestuesit janë përpjekur të shkatërrojnë skelën që është vendosur në derën kryesore të Kryeministrisë.
11:00 - Mijëra qytetarë janë mbledhur në sheshin para Kryeministrisë, në protestën e thirrur nga opozita shqiptare. Me ta janë bashkuar edhe liderët kryesorë politikë të opozitës, Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ish-Kryeministri Berisha, Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi dhe të tjerë, ndërkohë që qytetarët vazhdojnë të afrohen, duke marshuar nga Sheshi Skënderbej drejt Kryeministrisë.
Në një prononcim për gazetarët, Berisha tha se vlonjatët do të kërkojnë arrestimin e Edi Ramës. “Po përdhos çështjen e flamurit, pasi po bën një antimiting në Vlorë. Ne nuk flasim, dhe do të bëjmë çfarë bën populli. Ai është monarku absolut i Shqipërisë”, tha Berisha.
Nga ana tjetër, Kryeministri Edi Rama është në Vlorë, për nismën “Bashkinë që Duam”, dhe prej andej thumboi opozitën. (A2 Televizion)
