Me kërkesë të ONM, regjistrohet nisja e procedimit disiplinor ndaj Luan Dacit

Nga A2 CNN
2 Qershor 2021, 13:39 | Aktualitet
Me kërkesë të ONM, regjistrohet nisja e procedimit disiplinor

Kolegji i Posaçëm i Apelimit do të nisë procedimin disiplinor ndaj gjyqtarit Luan Daci, pas kërkesës së bërë nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit. Të martën u hodh shorti për caktimin e gjyqtarit hetues dhe më pas, për caktimin e Komisionit Disiplinor dhe kryesuesin e komisionit që do të shqyrtojë çështjen.

Pas hedhjes së shortit, gjyqtari hetues i kësaj çështjeje u caktua gjyqtar Ardian Hajdari, ndërsa Komisioni Disiplinor do të ketë në përbërje gjyqtarët Natasha Mulaj, Albana Shtylla dhe Ina Rama.

Në fillim të muajit mars, Gjykata e Posaçme e Apelit shpalli fajtor Dacin për akuzën e “falsifikimit të dokumenteve”. Apeli i Posaçëm la të pandryshuar vendimin e dënimit të tij me 6 muaj burg, të konvertuar në 12 muaj Shërbim Prove.

Luan Daci u fajësua për falsifikimin e kërkesës mes të cilës ka aplikuar për të qenë pjesë e KPA në vitin 2017, pasi nuk ka deklaruar një masë disiplinore “largim nga detyra” nga KLD si gjyqtar në vitin 1997. Gjykata e Posaçme, në vendimin e shpallur në 1 dhjetor të vitit të kaluar, vlerësoi se kërkesa e të pandehurit ishte akt që i garantoi atij nisjen e detyrës në KPA dhe si e tillë konsiderohej si dokument. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos