
Kampionët e Serbisë të Crvena Zvezdës vinin në Tiranë si favorit për kalimin e turnit të Champions. Por fitorja e tyre ishte shumë më e vështirë sesa pritej nga mediat e Beogradit dhe nga vetë lojtarët. Njëri prej tyre, mbrojtësi Marko Gobeljic, deklaroi për gazetën Kurir përshtypjet e tij.
“Ishte një përballje tmerrësisht e vështirë për ne. Në fund të ndeshjes disa prej nesh ranë përtokë dhe nuk kishin forcë as të ngriheshin, por bëmë më të mirën e mundur. Fusha fillimisht dukej si një tapet, por pas disa minutash u shpërbë dhe kjo na pengoi gjatë ndeshjes”, deklaroi ai.
Mediat serbe vlerësuan Lojën e Tiranës, duke kritikuar gjendjen fizike të ekipit të Stankovic. Portieri Milan Borjan përshkruhet si “shpëtimtar” nga B92, dhe në përgjithësi “fati” ishte kryefjala e titujve në shtypin serb ,por u përmend edhe në konferencën për shtyp të trajnerit Stankovic.
Ish-ylli i Lacios dhe Interit ishte i qartë kur deklaroi pas ndeshjes se “fati është një faktor i rëndësishëm në jetë që duhet ta meritosh. Ne e kemi merituar”. Muçi dhe shokët e tij të Tiranës mund ta mendojnë ndryshe, por me siguri ndeshja e djeshme i jep djemve të Egbo një siguri më të madhe në përballjet e ardhshme në Europa League. (A2 Televizion)