
Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht padinë e Partisë Republikane për të ndryshuar përcaktimin e masave kufizuese për fushatën zgjedhore.
Kreu i PR-së, Fatmir Mediu, i ftuar në “Absolut 4”, gjykon se për një analizë më të thelluar “duhet pritur vendimi i plotë” , por ndërkohë sipas tij Kushtetuesja ka evidentuar disa elemente.
“Po të analizojë vendimin, elementi i parë është që Kushtetuesja i ka thënë qeverisë që ka marrë një veprim jashtë normave kushtetuese. Unë absolutisht nuk dua të neglizhoj pandeminë, por duhet të ndalojmë shtetin dhe qeverinë që në mënyrë të papërgjegjshme synon të kufizojë liritë e qytetarëve, ndërkohë që synon t’ia ofrojë me shumicë vetes së vet”, thotë lideri republikan.
Mediu flet për pabarazi politike. “ Ka pabarazi politike. Thuhet se partitë politike mund të bëjnë aktivitet me jo më shumë se 10 veta, ndërkohë që vetë kryetarja e Komitetit i ka kthyer përgjigje Parlamentit që mund të mblidhet sa herë të dojë me të gjithë deputetët, përfshirë administratën, që janë mbi 100 veta. Por kur ky aktivitet zhvillohet në një ambient të hapur, është e domosdoshme të jenë 10 veta? Unë mendoj që masat duhet të jenë distancimi dhe maskat, të tjera janë më tepër abuzive dhe të qëllimshme. Vetë kryetarja e Komisionit ka abuzuar me këtë vendim, duke marrë pjese në aktivitetet e Partisë Socialiste”.
Sipas Mediut, në këtë mënyrë, “ kryeministri po tenton të fusë në karantinë opozitën gjatë fushatës zgjedhore, në pjesëmarrje por edhe në kufizimet kohore”. (A2 Televizion)