
Një legjendë nuk vdes kurrë! Ishte data 5 prill 2020 kur një lajm i hidhur për gjithë boksin shqiptar dhe jo vetëm u shpërnda shpejt në çdo media. Ish legjenda bardheblu Skënder Kurti nuk arriti të fitojë dot betejën me virusin e panjohur dhe të ashtuquajtur Covid-19.
Boksi shqiptar ishte i gjithi në zi , një humbje e madhe e themeluesit dhe pasionantit të boksit shqiptar që për vite e vite me radhë dha kontributin e tij në ringun shqiptar.
Është data 14 maj, datëlindja e tij, ditë kur ai duhet të festonte 62 vjetorin pranë familjarëve të tij apo dhe të stërviste boksierët më të mirë në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare. Sot e gjitha bota e boksit shqiptar e kujton si një njeri të pazëvendësueshëm dhe të denjë në punën që ai bënte çdo ditë, për të ushqyer jo vetëm kampionët e Shqipërisë me medalje e kupa, por edhe brezin e ri që po rritet dhe premton për të ardhmen.
Pasioni i tij dhe dëshira për të qenë gjithmonë mes më të mirëve është trashëguar më së miri nga djali i tij Renato Kurti njëherësh promotor dhe organizatori i këtij turneu, i titulluar memoriali ‘’Skënder Kurti’’.
Një organizim deri në detaje me boksier që vinin nga vende të ndryshme të botës si Maqedonia, Bosnja, Turqia, Serbia dhe shumë të tjerë boksuan në ringun shqiptar
Turneu ndërkombëtar “Skënder Kurti” ishte dhe prova e parë si profesionist për Nelson Hysën, rekordmen 22 vite kampion i Shqipërisë si dhe fitues i medaljes se pare europiane . Shkodrani fitoi me nokaut ndaj boshnjakut Çajiç duke mos i dhënë asnjë shans kundërshtarit. Hysa e kujton ish-trajnerin bardheblu si një kampion dhe gjithmonë do të mbetet idhull për çdo fëmijë.
Ndeshja e parë në boksin profesioniste ishte dhe për sportistin e Shkëndijës së Tetovës, Ali Azemi i cili debutojë kundër serbit Sladjan Dragisic dhe arriti ta mund atë.
Në fund e gjithë vëmendja ishte tek kampioni Alban Bërmeta, i cili mundi për pak sekonda hungarezin Zabo. Një fitore në pak sekonda për boksierin nga Tirana bëri që sportisti të ngrinte në këmbë sallën sportive Farie Hoti dhe gjithë publiku të ngrihej në këmbë.
Superndeshja e boksit profesionist për femra, ishte ajo mes turkes Turhan e cila fitoi me lehtësi përballë shqiptares Xhemollari.
Edhe Alban Beqiri, sportisti që bëri krenar një komb të tërë në kampionatin europian e kujton legjendën Skënder Kurti si një persona të dashur dhe të pazëvendësueshëm .
Drejtoresha e klubit shumësportësh të Tiranës, Debora Keci e cilësoi të ndjerin Kurti, si themelues të boksit shqiptar ndërsa theksoi se aktivitete të tilla në nderim të legjendave , duhet ti shtohen dhe më shumë
Në një atmosferë spektakolare, për afro 3 orë , në ring u ngjitën afro 20 sportistë që mes brohoritjeve të publikut boksonin për të fituar.
Skënder Kurti ishte një vlerë e padiskutueshëm e sportit shqiptar, një emër që nuk vdes kurrë në boksin shqiptar, kontributi i tij i jashtëzakonshëm bëri që çdo boksier ta konsideronte si një baba të dytë. Ai kaloi nga duar te tij boksier të nivelit të lartë Martin Nikaj , Piro Emerej, Denis Nurja , Enea Kovaci e mjaft të tjerë. (A2 Televizion)