
Kur mendohej se Juventusi e kishte braktisur ëndrrën e Angel Di Maria, papritur argjentinasi është më shumë se kurrë afër torinezëve.
Mediat italiane flasin për një afrim të drejtuesve të Juventusit, që mendohet se kanë pranuar kërkesën për vetëm një vit kontratë kundrejt 7 milionë euro, siç kërkojnë agjentët e Di Maria.
Deri më tani, kjo ofertë është refuzuar, sepse paradoksalisht Juventusi i kërkonte 34-vjeçarit një kontratë më të gjatë, të paktën dyvjeçare, për të përfituar jo vetëm nga teknika e përkryer e tij, por edhe për shkak të lehtësirave fiskale.
Por Di Maria ka vendosur se pas dy vitesh do të mbyllë karrierën në ekipin e tij të zemrës, Rosario Central, dhe sipas burimeve, italianët e kanë pranuar këtë. Mungojnë tashmë vetëm detajet për ardhjen e lojtarit sulmues në Serie A, që do të ishte goditja e dytë e madhe e Juventusit për sezonin e ardhshëm, pas francezit Paul Pogba. (A2 Televizion)