Merkato e dimrit, Milan dhe Ajax nuk heqin dorë nga Berat Gjimshiti

Nga A2 CNN
13 Janar 2021, 11:37 | Futboll
Merkato e dimrit, Milan dhe Ajax nuk heqin dorë nga Berat Gjimshiti

Milani dhe Ajax vazhdojnë të mbajnë nën vëzhgim Berat Gjimshitin, duke e cilësuar si një alternativë të rëndësishme për kontingjentin.

Gjigantët italianë dhe ata holandezë nuk heqin dorë nga mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, të cilin e vëzhgojnë prej fillimit të këtij edicioni. Sezoni i kaluar e konfirmoi 27-vjeçarin si një lojtar të nivelit të lartë, i aftë të përballonte emra të mëdhenj të sulmit në Serie Aitaliane, por edhe në Champions League. Berat Gjimshiti bindi edhe në fillim të këtij edicioni, me paraqitjet në Champions, ndërsa cilësohet si një prej sportistët me rritjen më të madhe të vlerës në merkato.

Hapja e afatit të transferimeve të janarit, ka rikthyer në skenë interesimin e Milanit, por edhe të Ajax, të cilat duket se kanë nevojë për përforcime në repartin difensiv për të ardhmen e afërt, por edhe për projektin afatgjatë.

Kuqeziu është nën kontratë me Atalantën deri në vitin 2023, teksa ka edhe opsion për një tjetër vit me bergamaskët. I transferuar te bluzinjtë prej vitit 2016, Gjimshiti është kthyer në një prej shtyllave kryesore të skuadrës. Klubi do të pranonte të hiqte dorë nga mbrojtësi, vetëm nëse shifra e ofruar do të ishte ajo e duhura. Aktualisht, Berat Gjimshiti kushton 18 milionë euro në merkato, me Atalantën që 5 vjet më parë shpenzoi vetëm një milion euro për ta blerë nga zviceranët e Zürich. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos